MOSKË, 14 maj /ATSH-DPA/ – Rusia është ende duke analizuar hapat që do të ndërmarrë për të forcuar sigurinë e saj nëse Finlanda dhe Suedia anëtarësohen në NATO, deklaroi zëvendësministri i Jashtëm rus, Alexander Grushko.
Ai tha se anëtarësimi i vendeve nordike në aleancën e mbrojtjes do të shkaktonte “ndryshime strategjike”, por se ishte ende herët për të folur për mundësinë e stacionimit të armëve bërthamore nga Rusia në rajonin e Baltikut, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.
Ish-presidenti Dmitry Medvedev, i cili tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Moskë, kërcënoi se do të vendoste armë bërthamore në enklavën ruse të Baltikut, Kaliningrad.
Finlanda neutrale tani është afër aplikimit për anëtarësim në NATO për shkak të shqetësimit për sigurinë e saj si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës.
Anëtarësimi i Finlandës do të dyfishonte kufirin e NATO-s me Rusinë me një goditje të vetme.
Vendi më verior i BE-së ka një kufi me Rusinë që është më shumë se 1 300 kilometra i gjatë.
Suedia, tradicionalisht një vend i paangazhuar, gjithashtu mund të ndryshojë qëndrim.
Grushko tha se nëse NATO vendos armë bërthamore në kufijtë e Rusisë, Moska do të përgjigjet në përputhje me rrethanat./ a.jor.























