Ballina Ekonomi

AMF ligj të ri për fondet e pensionit privat

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Tregu i fondeve të pensioneve private, edhe pse me peshë modeste ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, gjatë vitit 2021 shënoi një rritje prej 27.2% krahasuar me vitin 2020 duke arritur një total asetesh neto prej 4.58 miliardë lekë.

Asetet e këtij tregu janë investuar kryesisht në obligacione të Qeverisë shqiptare, të cilat përbëjnë rreth 91.5% të totalit të aseteve të fondeve të pensioneve private.

Me qëllim përafrimin me Direktivën Evropiane IORP II, standardet më të mira ndërkombëtare, si dhe përmirësimin e bazës ligjore që rregullon tregun e fondeve të pensionit privat, Autoriteti ka hartuar projektligjin “Për fondet e pensionit privat”.

Dokumenti i është përcjellë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe aktualisht është në fazën e konsultimit ndërinstitucional.

Projektligji sjell disa risi, ku veçohen format e reja të fondeve të pensionit, duke parashikuar fonde pensioni me pjesëmarrje të hapur dhe të mbyllur, rritjen e transparencës dhe informimit për anëtarët, zhvillimin e tregut përmes rishikimit të politikës së investimit të aseteve, nxitjen e pjesëmarrjes përmes rishikimit të regjimit fiskal, si dhe përmirësimin e mirëqeverisjes së shoqërive administruese të fondeve. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTregu i sigurimeve rritje edhe krahasuar me periudhën e parapandemisë
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE-ja ndihmë tjetër ushtarake prej 500 milionë eurosh për Ukrainën