PRISHTINË, 12 maj /ATSH/ Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe”.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Gërvalla njoftoi se nga sot fillojnë procedurat për shqyrtim të kërkesës nga ana e Këshillit. Sipas saj, është optimiste që Kosova do të jetë anëtare e kësaj organizate të të drejtave të njeriut.
Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.
Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj.
Këshilli i Evropës është themeluar më 1949.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.
Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i saj i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.
Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.
Dy trupat kryesor të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.























