TIRANË, 11 maj/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për kodifikimin e programeve të studimit.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, pas mbledhjes së qeverisë tha se “kemi një lajm shumë të mirë për universitetet shqiptare. Kodifikimi nënkupton grupimin e programeve të studimit në kode që identifikojnë fusha të ngjashme”.
“Është një detyrim, që rrjedh nga ligji për arsimin e lartë, por edhe nga strategjia e arsimit 2021-2026. Sipas ligjit të gjitha programet e studimit, që ofrohen në fusha të ngjashme në të njëjtin cikël, kanë të njëjtin emërtim, duhet të jenë patjetër të ngjashme së paku në 70% të tyre. Është një vendim që i vjen në ndihmë të gjithë institucioneve, duke filluar nga vetë universitetet, të cilat do të kenë mundësinë të rrisin koherencën e tyre akademike duke i menaxhuar dhe planifikuar më mirë ofertën kurrikulare”, theksoi Kushi.
Kushi tha se, përfitojnë edhe institucionet politikëbërëse, siç është Ministria e Arsimit apo edhe ASCAP, sepse nëpërmjet kodifikimit do të kenë mundësi të bëjnë një analizë dhe një menaxhim më të mirë duke pasur të dhëna të unifikuara midis universiteteve për sa i takon programeve të studimit.
“Natyrisht, përfitojnë edhe vetë studentët, sepse do të jenë më të qartë jo vetëm kur bëjnë zgjedhjen e programeve të studimit por edhe kur bëjnë transferimin e studimeve nga një universitet në tjetrin, duke shmangur të gjitha ato problematika apo konfuzionin që kanë pasur në vitet e kaluara. Kodifikimin e kemi konsultuar në detaje me të gjitha universitetet nëpërmjet konferencës së rektorëve dhe i jemi referuar sistemit të ISCED i cili është programi për kodifikimin e programeve”, nënvizoi Kushi.
Ministrja Kushi shprehu besimin se vendimi i sotëm është një tjetër hap për rritjen e cilësisë në universitetet shqiptare.
/k.s//a.a/






















