TIRANË, 10 maj/ATSH/ Bashkëpunimi ekonomik mes vendeve të rajonit është i rëndësishëm në rrugën e integrimit drejt Bashkimin Evropian.
Ky ishte mesazhi që dha ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë fjalës së saj në Forumin Ekonomik të Tiranës, si pjesë e panelit me temë: “Bashkëpunimi rajonal si parakusht për rimëkëmbje të qëndrueshme post-COVID në Shqipëri dhe në Ballkan”.
Ministrja tha se vendet e rajonit duhet të hartojnë programe të përbashkëta ekonomike, me qëllim përgatitjen për integrimin në BE.
“Besoj se jo vetëm për shkak të tregut të përbashkët rajonal, jo vetëm për shkak gjithë iniciativave që tashmë kemi ndërmarrë, jo vetëm sepse është e rëndësishme të kemi një treg të brendshëm duke qenë se përgjithësisht jemi vende të vogla, ne duhet të specializohemi në fusha të ndryshme dhe duhet të kemi programe të përbashkëta ekonomike, me qëllim që të jemi të aftë të përballemi në të ardhmen me hyrjen në Bashkimin Evropian dhe konkurrencën me të cilën duhet të përballemi ndërsa hyjmë në BE, por gjithashtu në kuadër të bashkëpunimit më të mirë dhe përballimin e krizave të reja, si ajo e çmimeve”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj vlerësoi se bashkëpunimi rajonal është forcuar vitet e fundit, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga pandemia, dhe theksoi rëndësinë e rritjes së tij edhe në kuadër të përballimit të krizës globale të rritjes së çmimeve.
“Puna që kemi bërë nën ombrellën e jo vetëm Procesit të Berlinit, por edhe të iniciativës së Ballkanit të Hapur, është shumë e rëndësishme. Edhe në kuadër të krizës së çmimeve me të cilën ne po përballemi, ne kemi bashkëpunuar me qëllim që të mos ndalojmë shkëmbimet tregtare dhe nuk kemi reshtur kurrë së shkëmbyeri produkte që mungojnë nga njëri vend në tjetrin, ose produkte që me përpara furnizoheshin nga Ukraina ose nga Rusia, dhe që aktualisht nuk janë të aksesueshme”, tha Ibrahimaj.
Ministrja theksoi faktin se në kuadër të nismës Ballkani i Hapur, po punohet për reduktimin e tarifave të tregtisë, importeve dhe eksporteve, me qëllim që të lehtësohet sa më shumë të jetë e mundur bashkëpunimi dhe shkëmbimet tregtare.
Marrëdhëniet tregtare në rajon janë intensifikuar në vitet e fundit. Rreth 8 % e totalit të importeve në Shqipëri vijnë nga Ballkani Perëndimor dhe 19 % e eksporteve shkojnë drejt vendeve të rajonit.
Bashkëpunim shumë i mirë është ai në drejtim të zhvillimit të IT, ndërsa gjatë pandemisë u zhvilluan “linjat e gjelbra”, që lehtësuan transportin gjatë periudhës së pandemisë.
/a.a/r.e/























