ROMË, 5 maj /ATSH/ – Sipas një proverbi antik ”zemra lexon shpirtin”, edhe pse ”dhoma” e vërtetë e kontrollit të humorit tonë është truri, ku, në fazën e rënies në dashuri, e konsideruar si ndjenja më sublime e njeriut, ekziston një lidhje shumë e ngushtë midis asaj që ndodh në nivelin neuronal dhe muskulit tonë, zemrës, shkruan faqja focus.it.
Pse përdoret termi ”kimi” në dashuri?
Emocionet e të dashuruarve korrespondojnë me një aktivitet të veçantë të zonave specifike të trurit, i cili më pas ndryshon dhe evoluon me kalimin e kohës. Nëse romanca vazhdon, ndryshojnë edhe reagimet neurologjike.
Për shembull, në fazën fillestare të pasionit, përfshirja e fortë emocionale shkakton një sinjal alarmi në sistemin nervor qendror që aktivizon gjëndrat mbiveshkore (të vendosura sipër veshkave) dhe shkakton lirimin e substancave të quajtura katekolamina (të tilla si adrenalina, noradrenalina dhe kortizoli).
Me fjalë të pakta shkaktohet një ”stuhi” e vërtetë hormonale që rrit presionin e gjakut dhe punën e zemrës.
Në disa raste, ajo arrin edhe mbi 100 rrahje në minutë.
Përveçse rrahjeve të forta të saj, dashuria shkakton edhe djersitje, palpitanca, gojë të thatë dhe skuqje të faqeve.
Asgjë serioze, të gjithë thonë se ”faji është i zemrës”./ /os/























