PODGORICË, 14 prill /ATSH-DPA/ Dy parti të pakicës në parlamentin e Malit të Zi, URA dhe socialdemokrate SDP, kanë arritur një marrëveshje koalicioni për mbështetjen e një kabineti të pakicës nën drejtimin e liderit të URA, Dritan Abazoviç, njoftuan sot partitë.
Ata po synojnë mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), e udhëhequr nga presidenti pro-perëndimor i vendit, Milo Gjukanoviç. DPS, partia më e madhe në parlamentin prej 81 anëtarësh, është në opozitë që nga viti 2020.
Së bashku me grupet e tjera të vogla në parlament dhe partitë me bazë etnike që përfaqësojnë boshnjakët dhe shqiptarët, koalicioni i Abazoviç do të ketë shumicën e nevojshme.
Ndryshimi afatmesëm në qeveri ndodhi pasi parlamenti miratoi një mocion mosbesimi në shkurt ndaj qeverisë pro-serbe dhe pro-ruse të kryesuar nga kryeministri Zdravko Krivokapiç.
Abazoviç, i cili shërbeu si zëvendëskryeministër, tërhoqi mbështetjen e partisë së tij nga koalicioni qeverisës pasi negociatat me Bashkimin Evropian për pranimin e vendit në union u bllokuan.
Marrëveshja e koalicionit e arritur sot mes dy partive mbron anëtarësimin në BE dhe mbështetjen për NATO-n, si një vend anëtar që nga viti 2017.
Gjithashtu, marrëveshja konfirmon qëndrimin e Malit të Zi kundër pushtimit rus në Ukrainë. //a.i/






















