Ballina Flash

Meta: Arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh sot se, “renditja e Shqipërisë, e fundit në rajon në klasifikimin botëror të cilësisë së universiteteve sipas “Ranking Web of Universities” por edhe sistemeve të tjera të besueshme të vlerësimit akademik, është tregues i tronditjes së rëndë të cilësisë së Arsimit të Lartë dhe sinjal alarmi për shoqërinë në tërësi”.

Meta theksoi se kjo “është një thirrje për reflektim të menjëhershëm nga Qeveria, Kuvendi dhe shoqëria civile në tërësi për ndërmarrjen sa më parë të reformave reale dhe të besueshme për rivendosjen e standardeve të larta konkurruese dhe uljen e fiktivitetit në Arsimin e Lartë”.

“Këto reforma strukturore e funksionale dhe veçanërisht depolitizimi i sistemit arsimor, janë kusht dhe domosdoshmëri për rritjen e besimit dhe shpresës te të rinjtë tanë për të studiuar, qëndruar dhe ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre në Shqipëri”, tha Meta.

“Të rinjtë e mirëarsimuar dhe të kualifikuar janë pasuria më e vyer e vendit dhe kapitali më i çmuar njerëzor”, nënvizoi Meta.

“Arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare për të ndalur fenomenin e shpopullimit dhe garantuar zhvillim të qëndrueshëm, progres dhe të ardhme të sigurt europiane”, përfundoi presidenti Meta reagimin e tij.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKompensim i naftës me 100 lekë për litër kompanive të transportit publik
Artikulli tjetërEuroja humb terren, dollari forcohet