Ballina Flash

Në 3 mujorin e parë të 2022 u punësuan 83% e të rinjve që studiuan gjuhë programimi në SDA by Protik

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijë, Bora Muzhaqi duke folur sot për projektin “SDA by Protik” tha se “në këtë projekt janë trajnuar një numë ri lartë të rinjsh në pak kohë”.

Gjatë punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste, në panelin “Digjitalizimi dhe inovacioni”, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijë, Bora Muzhaqi u ndal tek sfidat që ky projekt ka pasur gjatë zbatimit të tij në Shqipëri.

Duke iu drejtuar të rinjve Muzhaqi tha se “pavarësisht se keni apo eksperiencë në fushën e teknologjisë mund të shkoni të bëni një nga kurset e “Protik” dhe pastaj të jeni menjëherë të punësueshëm”.

Një nga panelistët  tha se “në Shqipëri tregu i punës në sektorin digjital po rritet gjithmonë e më shumë dhe më shpejt. Fokusi i qeverisë ka qenë tek të rinjtë dhe te mundësimi i edukimit në teknologji dhe informacion, duke krijuar hapësira të reja për të mësuar që në vegjëli programim, përdorimin e teknologjive të reja dhe teknikave të reja digjitale”.

“”Kërkesa sot deklarohet të jenë për 300-400 të rinj që janë aktualisht të publikuara, por mendoj që kërkesa e vërtetë është shumë më e madhe. Janë rreth 3600-3800 punëkërkues për “software development” vetëm në Linkedin, por ka edhe shumë më shumë njerëz që janë jashtë Shqipërisë, të cilët si qytetarë shqiptarë duan të jenë pjesë e këtij tregu”, shtoi ai.

Përfaqësuesi i Akademisë “SDA by Protik”, pjesë e panelit theksoi se “ky projekt është një nga mundësitë e mira që të rinjtë të fillojnë të jenë të aftësuar në kodim, në botën e programimit. Ai ka filluar në vitin 2020 dhe janë mbyllur grupet e para në Korçë, Fier, Durrës dhe shumë shpejt mbyllen dhe në Shkodër”.

Sipas tij, rezultatet janë shumë të mira, pasi sot janë rreth 560-580 studentë me grupe, ku janë prekur pothuajse të gjitha gjuhët kryesore të programimit.

“Kurset janë nga 8-9 muaj dhe gjatë kësaj kohe pretendohet të dalin koduesit e parë në kuptimin jotradicional, si është bërë deri tani. Numrat janë në rritje dhe shumë shpejt synohet një program kombëtar, ku të mund të krijohet një ekonomi e fortë digjitale”, tha ai.

Ai shtoi se rezultatet e punësimit të atyre që përfundojnë kurset e “Protik” vitin e parë ka qenë 60%, më pas u arrit në 75 % dhe në fund të tremujorit të parë të 2022 rezultatet arritën 83% të punësimit.

Software Development Academy është një themelim i përbashkët me Qendrën Protik dhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe në partneritet me bashkinë e Tiranës dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Më tej në panel u prezantuan punëkërkues për këto fusha, teksa ministrja e Shtetit për Rininë Bora Muzhaqi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj moderuan këtë panel duke diskutuar politikat e qeverisë në drejtim të zhvillimit të edukimit të rinisë për t’iu përshtatur sa më mirë kërkesave të tregut të punës. /k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKongresi i Partisë Socialiste nis me himnin shqiptar dhe të Ukrainës
Artikulli tjetërStudentja e UBT: Bujqësia, sektor me potencial ekonomik për të rinjtë