Ballina Aktualitet

Vokshi: Teza e provimit për mësuesit doli disa orë përpara, Kushi: Padi për shpifje

TIRANË, 7 prill /ATSH – I. Vata/ Deputetja e PD-së Albana Vokshi akuzoi sot Ministrinë e Arsimit se ka publikuar tezën e provimit për vlerësimin e mësuesve në arsimin parauniversitar.

Provimi pritet të zhvillohet sot në orën 14:00 në shkollën “Sabaudin Gabrani” në Tiranë, ndërsa sipas Vokshit teza e pyetjeve ka dalë disa orë para provimit.

“Mësuesja në Elbasan denoncon skandalin me provimin e vlerësuesve të Arsimit Parauniversitar që do të zhvillohet sot në orën 14.00 në Tiranë në shkollën Sabaudin Gabrani. Dalin pyetjet me porosi të ministres Evis Kushi që të certifikohen të njohurit e ministres dhe militantet e partisë. Ky është “vetëreformimi” në arsim për të cilin foli Kryeministri Rama dje në Asamblenë e PS”, u shpreh Vokshi.

Kushi: Deputetja do të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore për shpifje

Pas akuzës së Vokshit, reagoi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi e cila sfidoi deputeten që të provojë akuzat e saj në lidhje me ndërhyrjen e saj apo të stafit në procese testimi dhe vlerësimi të mësuesve.

“Unë që sot largohem nga detyra nëse ajo i provon akuzat, por, në të kundërt, deputetja do të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore për shpifje”, tha Kushi.
“Që sot do të depozitoj padinë në gjykatë. Qytetarët nuk mund të helmohen çdo ditë me shpifje. Është turp dhe e pafalshme që, për qëllime politike, të shpërdorohet besimi i qytetarëve nga karrigia e deputetit, duke sajuar akuza që cenojnë besueshmërinë dhe nxitin pasiguri te mësuesit dhe nxënësit për proceset vlerësuese në sistemin arsimor”, tha Kushi.
“Të dashur mësues, ne do të vazhdojmë çdo ditë të punojmë së bashku për të përmirësuar më tej sistemin tonë arsimor, duke mos u dekurajuar nga asnjë sulm politik.
Të dashur nxënës, ne bëjmë çdo ditë e më shumë përpjekje për të garantuar barazi, transparencë dhe meritokraci në vlerësimin e arritjeve tuaja”, përfundoi ajo.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: 740,669 mjete aktive, lidhje e drejtpërdrejtë me fuqinë blerëse dhe rritjen ekonomike
Artikulli tjetërCOVID-19 – Mosmarrëveshjet për vaksinimin e detyrueshëm/jo arrijnë në Bunderstag për votim