TIRANË, 2 prill/ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të mos ndryshojë masën “arrest me burg” për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako.
Ish-deputeti Bllako u vetdorëzua dje në polici pas urdhrit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Avokati i Bllakos, Sokol Hazizaj e konsideroi të padrejtë vendimin e GJKKO-së.
Ai u shpreh për gazetarët se ish-deputeti, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, vetëm i ka përcjellë aktet procedurale Këshillit të Ministrave për kontratat e inceneratorit të Fierit.
“Tre faktet penale për të cilat ka identifikuar organi procedural i hetimit, që lidhet me shpronësimin e tokës, janë akte të prodhuara jo nga Alqi Bllako. Nuk është prodhuar akti nga Alqi Bllako”, tha avokati Hazizaj.
Bllako akuzohet për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” dhe “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
/k.s/






















