Ballina Ekonomi

Ibrahimaj: Vetëm sot u paguan 41.174 pensione të indeksuara

TIRANË 1 prill/ATSH – I. Vata/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se nisi sot shpërndarja e pensioneve të indeksuara dhe dhënia e ndihmës financiare për kategoritë e përcaktuara nga Paketa e Rezistencës Sociale.

Ibrahimaj thekson se, vetëm në ditën e parë të Paketës së Rezistencës Sociale janë paguar 41.174 pensione të indeksuara.

“Vetëm gjatë ditës së sotme nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore janë paguar 41.174 pensione të indeksuara nga 673,813 përfitues që janë në total, ndërsa kanë marrë mbështetjen financiare prej 3,000 lekësh 25,486 persona, nga 441,000 që janë në total”, tha ajo.

“Bëjmë me dije se dhënia e pagesave do të vazhdojë edhe gjatë ditës së shtunë, si dhe garantojmë të gjithë përfituesit se janë të disponueshme të gjitha fondet për mbulimin e plotë të kësaj mase”, informon ministrja.

Nga kjo masë do të përfitojnë 576,381 familje dhe individë, përfitues të programit të ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar, dhe pensionistë invaliditeti, familjar dhe pleqërie, nga skema e sigurimeve shoqërore. Efekti financiar llogaritet në rreth 5.2 miliardë lekë. Kjo masë do të përfitohet vetëm një herë për periudhën prill-maj-qershor dhe nuk do të jetë e mundur mbartja e tij në periudhat pasardhëse.

Kategoritë përfituese të përcaktuara në Paketën e Rezistencës Sociale janë: familjet dhe individët përfitues të ndihmës ekonomike, individët përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar, individët përfitues të statusit, sipas Ligjit “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, individët përfitues të statusit “Për statusin e të verbrit”, personat, që përfitojnë pension invaliditeti, personat që përfitojnë pension familjar, personat që përfitojnë pension pleqërie, dhe masa e pensionit mujor të tyre është më e ulët ose e barabartë me 50 % të pagës minimale neto në shkallë vendi; kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie dhe përfitojnë kompensim për efekt të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKurti kujton 80 personat e masakruar në Lybeniq dhe mbi 60 në Gjakovë
Artikulli tjetërKOMENT – Zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në Serbi