TIRANË, 28 mars /ATSH/ Komisioni për Integrimin Evropian shqyrtoi sot projektligjin “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”.
E ftuar për këtë projektligj ishte ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila u shpreh se, ndryshimet në ligjin aktual janë tepër të domosdoshme dhe ky ligj ka ardhur tërësisht i ri dhe gjithëpërfshirës.
Projektligji mundëson krijimin e një kuadri ligjor dhe institucional më të plotë, i cili iu përgjigjet nevojave të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.
Në këtë projektligj janë llogaritur si kosto për buxhetin e shtetit shuma për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nëpërmjet AIDA-s, në formën e mbështetjes financiare (grante) dhe shërbime mbështetëse (si trajnim, këshillim etj.).
Ibrahimaj po ashtu theksoi se, ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave, masave dhe politikave shtetërore për klasifikimin, nxitjen e krijimit dhe zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Çështja e dytë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e grupeve vendore të veprimit”.
Të ftuar për këtë projektligj ishin Dhimitër Kote, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Julinda Bare, përgjegjëse sektori në këtë ministri.
Zëvendësministri Kote, në prezantim të këtij projektligj u shpreh se ky projektligj ka për qëllim zbatimin e qasjes Bashkimit Evropian për zhvillimin rural me pjesëmarrje (qasja LEADER) nëpërmjet përcaktimit të parakushteve, për krijimin e funksionimin e grupeve vendore të veprimit (GVV), të cilat do të mundësojnë përfshirjen e komuniteteve lokale në identifikimin dhe zbatimin e strategjive të zhvillimit të udhëhequra nga komuniteti në varësi të nevojave të tyre, marrjen e vendimeve për alokimin e burimeve të tyre financiare dhe menaxhimin e tyre bazuar në zhvillimin e qëndrueshëm, sigurimin e një mjedisi për investimet në zonat rurale nga vetë komuniteti, ngritjen e kapaciteteve vendore etj.
Me miratimin e këtij projektligji përcaktohet baza për krijimin e GVV-ve dhe fillimi i zbatimit të programit të Bashkimit Evropian IPARD II, për mbështetjen e GVV-ve dhe financimin e strategjive lokale të zhvillimit.
Relatorja e çështjes, Gerta Duraku, tha se, ky projektligj është konform Kushtetutës, konform Rregullores së Kuvendit dhe në përputhje të plotë me legjislacionin vendas, si dhe me legjislacionin e Bashkimit Evropian (EU Regulation 1305/2013 dhe EU Regulation 1303/2013).
Anëtarët vazhduan me komente dhe pyetje të ndryshme, ku pas të cilave, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi, me ndryshimet përkatëse të propozuara dhe punuara me ndryshimet e dakordësuara.
Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, ku të ftuar ishin Enkelejda Muça, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Blerta Nerguti (Xhako), drejtore e Drejtorisë së Çështjeve Juridike dhe Integrimit, nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Objektivi që synohet të arrihet nëpërmjet miratimit të këtij projektligji është shfrytëzimi i plotë i potencialit të informacionit të sektorit publik për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare mbështetur në praktikat e Bashkimit Evropian. Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.
/j.p/r.e/























