Ballina Aktualitet

Mazi: Imperative, të përthithemi vërtet shpejt në kampin e BE-së

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi deklaroi sot se, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat për të filluar bisedimet e anëtarësimit.

Në fjalën e tij në tryezën e rrumbullakët me temë “Sfidat e Shqipërisë gjatë negociatave me Bashkimin Evropian”, në Këshillin Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE), Mazi përshëndeti ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca në mbyllje të mandatit të tij.

“Jam thellësisht i bindur se shenja e Sorecës në Shqipëri do të jetë e pashlyeshme në memorien kolektive shqiptare”, tha Mazi, i cili përmendi tri ngjarje.

“Përfshirja e mrekullueshme në organizimin e Konferencës së Donatorëve për të adresuar pasojat e tërmetit të vitit 2019 dhe impaktin e COVID-19. Vendimi i Samitit të Këshillit Evropian në Mars 2020 për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Raportin Shqipëria 2021 – i pari raport që konfirmoi institucionalisht, se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat për të filluar bisedimet e anëtarësisë. Roli i Sorecës ka qenë dukshëm i vyer, ndihmues dhe tepër i frytshëm, në këto ngjarje thelbësore në rrugën tonë të anëtarësisë në BE”, tha Mazi.

Sot, theksoi Mazi, “çështja është cila do jetë rruga më efektive për të bërë që BE të marrë vendimin dhe për të ecur përpara. Kur vjen puna tek kjo pikë, dëgjohen argumente që duket sikur mund justifikohet dikush që thotë “sigurisht, mirë, për të folur strikt, kjo është korrekt, duhet bërë, por ka disa rrethana specifike”! Dhe ngecën në vend. Kjo nuk tingëllon muzikë e bukur për veshin. Dëgjohet edhe ndonjë argument se gjërat janë ndryshe në Shqipëri. Sigurisht që janë. Ndryshimi midis gjërave këtu dhe atje, në BE, nuk është i tillë që marrja e përgjegjësive atje dhe këtu të bëhet mbi parime të ndryshme! BE dhe ne pretendojmë se kemi një objektiv – ky është çka bashkon të dy anët e shtëpisë evropiane – ne dhe BE-në”.

Për ne, shtoi Mazi, “është e qarte se nuk mundemi të përzgjedhim, të bëjmë seleksionime se ku dhe në cilën pjesë të sistemit tonë do të përdorim këtë ose atë lloj standardi. Ne as kemi thënë dhe as do themi – ne do të kemi standarde shqiptare këtu në Shqipëri. Ne nuk mund të bëjmë këtë përzgjedhje, sepse kemi vendosur të veprojmë ndryshe. Ne nuk mundet dhe nuk do të biem nën nivelin e arritjes të standardit më të lartë të pranimit të përgjegjësive. Këtë e kemi demonstruar dhe do të vijojmë ta demonstrojmë, të jemi konsekuentë me veten tonë”.

“Çështja e madhe e këtij shekulli ku kemi hyrë është nëse populli i dedikuar i Shqipërisë do anëtarësohet duke ndjekur “korsinë e shpejtësisë”, apo do lihet ku është, tek dera, duke pritur Godonë! Dëshiroj të besoj, në këto kohë të vështira, se është imperative që ne të përthithemi në kampin e BE-së vërtet shpejt, pavarësisht paqartësisë, përcaktimit të gjerë, të lirshëm të fjalës ‘shpejt”. Dua shumë të shpresoj se peshorja do të anojë nga ana e asaj që është e drejtë për t’u bërë – drejtësi ndaj nesh dhe ndaj premtimeve të BE-së. Kjo është betejë mendjesh të qytetarëve, mënyra jonë e jetesës dhe e vendosmërisë. Unioni duhet të ishte i qartë për këtë tashmë. BE është një shoqëri ku merita individuale dhe vetëm merita individuale është kriteri për avancim, anëtarësim, kjo është mantra!”, theksoi Mazi.

Tabaku: Qeveria dështoi me kushtet e integrimit

Kryetarja e Këshillit të Integrimit Europian, Jorida Tabaku foli sot në mbledhjen e këtij Këshilli, ku të pranishëm ishin përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve.

Tabaku deklaroi se procesi i integrimit ka nisur prej disa vitesh tashmë, por Shqipërisë përgjatë viteve i janë shtuar kushtet.

Megjithatë Tabaku u shpreh se, gjatë këtyre viteve vendi ka ndërmarrë dy reforma të rëndësishme, atë të Reformës në Drejtësi dhe Zgjedhore.

Kryetarja e Këshillit vuri në dukje se metodologjia e ndjekur nga Shqipëria nuk është e standardizuar me kërkesat e Komisionit të Zgjerimit të BE.

Ajo vuri në dukje se kjo situatë do të jetë problematike në lidhje me përmbushjen e kushteve.

Tabaku vuri në pah edhe kontributin e ambasadorit Soreca, por shtoi se, fatkeqësisht qeveria refuzoi të dëgjonte shpesh këshillat e tij.

Ajo risolli në vëmendje se Soreca ka qenë i pranishëm në vend që prej liberalizimit të vizave.

Shqipëria, sipas saj, ka marrë ndihmë në lidhje me tërmetin, situatën e COVID-19 dhe sidomos sot.

Tabaku u shpreh se, procesi i integrimit kërkon bashkëpunim dhe vullnet të qeverisë për të marrë hapa konkretë të prekshëm për të përmbushur kushtet.

Ajo në përfundim deklaroi se, “opozita kërkon që të zhvillohet sa më shpejt Konferenca e Parë Ndërqeveritare, jo se ne i kemi përmbushur kushtet, por sepse në atë formë do të kemi një mbikëqyrës për ecurinë tonë”.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDeutsche Welle në listën e medieve të ndaluara në Afganistan
Artikulli tjetërKushi: Kërkimi shkencor, rol kyç në ndërkombëtarizimin e Arsimit të Lartë