TIRANË, 15 mars /ATSH/ Veprimet bankare në distancë përmes internetit u zgjeruan ndjeshëm vitin e fundit.
Në raportin e publikuar së fundi Banka e Shqipërisë bën të ditur se, numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 5.13 milionë, ndërsa volumi total i transaksioneve arriti në vlerën 1.2 trilionë lekë, me rritje 15.5 % në fund të vitit 2021.
Sipas BSH-së, krahasuar me një vit më parë, numri i veprimeve bankare në distancë u rrit me 24.5 % ose me mbi një milionë veprime më shumë.
Veprimet bankare në distancë ose veprime të home banking ofrohet nga 11 prej 12 bankave tregtare në Shqipëri. Në pjesën më të madhe janë veprime bankare që kryhen nëpërmjet internetit apo aplikacioneve në telefonat celularë.
BSH-ja bën të ditur se, në fund të vitit 2021, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 709 mijë, në rritje vjetore me 21 %.
/r.e/






















