TIRANË, 7 mars /ATSH/ Partia Demokratike ka propozuar sot rezolutë për Kosovën, ku i kërkon qeverisë shqiptare të përdorë të gjitha mjetet dhe mundësitë në dispozicion që Kosova të anëtarësohet sa më parë në organizatat partnere të Kombeve të Bashkuara dhe të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Në rezolutë, PD kërkon nga qeveria që të ushtrojë gjithë influencën e saj që Bashkimi Evropian të finalizojë marrëveshjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe të ndërmarrë një diplomaci më aktive për të bindur vendet anëtare të BE-së të njohin Kosovën.
“Njohja e Kosovës është sot një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendeve anëtare të BE”, thuhet në rezolutë.
Gjithashtu në rezolutë kërkohet që qeveria të influencojë nëpërmjet anëtarësisë së Shqipërisë në NATO që të forcohet bashkëpunimi ushtarak dhe politik midis Kosovës dhe NATO-s, duke ndërmarrë çdo hap të nevojshëm që Kosova të bëhet vend anëtar në Partneritetin për Paqen dhe të hapet rruga për anëtarësimin e saj të plotë në NATO.
/j.p/r.e/





















