TIRANË, 7 mars /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, u shpreh në mbështetje të projektrezolutës ndaj Ukrainës, e cila votohet sot në Parlament.
Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, pasditen e së hënës, Çollaku tha se, influenca ruse ne Ballkan është e pranishme, ndërsa shtoi se Shqipëria duhet të ridimensionojë marrëdhëniet me Serbinë.
Ai tha se” Shqipëria solidarizohet në krah të Ukrainës duke qenë pjesë edhe e koalicionit më të madh që mbron Ukrainën. Shqetësimi është se fronti i dytë përveç Ukrainës ka për të qenë Ballkani. Influencat ruse janë dhe nuk është sekret të themi se Federata Ruse qëndron pas çdo situate në Ballkan, ndaj vigjilenca jonë duhet të rritet”.
Mes të tjerash Çollaku i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të braktisë nismën “Open Balkan”.
“Serbia është Rusia e vogël në Ballkan. Shqipëria edhe pse është anëtare e NATO-s duhet të ridimensionojë marrëdhëniet me Serbinë, duke dalë nga nisma “Open Ballkan” ku i japin preferencë Serbisë. Serbia sot cenon integritetin e Kosovës, të Bosnjës dhe Malit të Zi, duke u përpjekur të hapë vatra konflikti në Ballkan, për ta nxjerrë Serbinë të vetmen aleate të Rusisë”, u shpreh Çollaku. /j.p/






















