Ballina Aktualitet

Bushati: Ta bëjmë së bashku, këtë ëndërr të bukur që quhet Shkodër

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Shkodrës, Xhemal Bushati ftoi sot qytetarët të votojnë më 6 mars, për ta bërë së bashku Shkodrën një ëndërr të bukur.

“Qëndrimi në krah të së vërtetës, jo pak herë na vendos përballë zgjedhjeve të vështira. Por sot, ka vetëm një zgjedhje: ta bëjmë së bashku këtë ëndërr të bukur që quhet Shkodër. Më 6 mars çdo votë mban qëllimin dhe aspiratën tonë të përbashkët, fitoren e Shkodrës, fitoren e Partisë Demokratike”, tha ai në takimin përmbyllës, ku i pranishëm ishte edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Bushati theksoi se koha do t’u jepte të drejtë, por duhet të ishin së bashku deri në fund të betejës.

“Dora ime është e shtrirë, mendja dhe zemra ime janë të hapura për cilindo që do të na bashkohet në këtë rrugëtim drejt së ardhmes sonë të përbashkët. Duke kërkuar më shumë për qytetarët e Shkodrës, më shumë vëmendje aty ku ka harresë, më shumë shpresë aty ku ka humb shpresa, më shumë guxim aty ku ka frikë, më shumë dashuri aty ku dashuria mungon. Më shumë bashkim, sepse ajo që na bashkon është më e fortë se ajo që na ndan. Më shumë forcë në besimin tonë, se e nesërmja mund dhe duhet të jetë më e mirë”, tha ai. /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSulmi rus në Zaporizhia, Shqipëria dhe 5 vende thërrasin takim urgjent të Këshillit të Sigurimit
Artikulli tjetërXhaçka: Shqipëria e angazhuar për të ndihmuar ukrainasit, roli ynë i vlerësuar nga aleatët