Ballina Ekonomi

Shqipëria dhe Greqia, pikë të përbashkët policore dhe doganore në Kakavijë

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve të tij, migracionin e paligjshëm, trafikimin e lëndëve narkotike, ekstremizmin e dhunshëm, radikalizmin, si dhe krime të tjera të rënda Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord për ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore.

Tashmë marrëveshja është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi pas 2 javësh.
Qendra do të pozicionohet në territorin e Republikës së Greqisë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.

Në të do të punësohen përfaqësues të Autoriteteve Kompetente të Palëve, të cilët kryejnë analizën dhe shkëmbimin e informacionit, si edhe mbështesin ekzekutimin e veprimtarive të Autoriteteve Kombëtare Kompetente. Qendra do të administrohet nga koordinatorët e secilës palë.

Shkëmbimi i ndërsjellë i të dhënave personale ndërmjet Autoriteteve Kompetente të Palëve do të kryhet në përputhje me legjislacionin përkatës kombëtar, duke pasur parasysh kushtet e përcaktuara nga Autoriteti Kompetent ofrues.

Shqipëria ka hapur prej vitesh pikën e përbashkët kufitare me Kosovën, ndërsa prej muajit gusht të vitit të shkuar edhe pikën e përbashkët kufitare me Malin e Zi, në Grabom, Malësi e Madhe.

Po ashtu, Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim që në shtator marrëveshjen për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërfshirja ekonomike e grave, BB: Shqipëria ndër vendet me përmirësime ligjore
Artikulli tjetërKLP miraton mbarimin e mandatit të Gent Ibrahimit, zgjedhja e kryetarit të ri më 28 mars