TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit gjatë muajit janar të këtij viti kapën vlerën 1,422 milionë lekë, ose 5.16 % më pak se në janar 2021.
Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë muajit janar, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 83,798 me një rritje prej 17.72 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 92.55 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e jetës kanë 7.4 %.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.68 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.32 % të totalit të tregut.
Gjatë janarit, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 387 milionë lekë, ose 28.34 % më pak se në janar të 2021-shit, ndikuar kryesisht nga pagesa e dëmshpërblimeve për tërmetet e fundvitit 2019 gjatë vitit të kaluar.
Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik në janar 2022 kapën vlerën 297 milionë lekë, duke pësuar një ulje me rreth 1.93 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
/j.p/r.e/























