LONDËR, 12 shkurt /ATSH-DPA/ – Mijëra britanikëve po u kërkohet të largohen menjëherë nga Ukraina për shkak të shqetësimeve në rritje se Rusia mund të nisë një pushtim në ditët në vijim.
Ministria e Jashtme përditësoi këshillat e saj dje në mbrëmje për t’i nxitur shtetasit e BM që “të largohen tani ndërsa mjetet tregtare janë ende në dispozicion”.
Urdhri u lëshua pasi shërbimi sekret dhe këshillat nga ekspertët në terren sugjeruan një nivel të rritur kërcënimi, me një pushtim në një moment që konsiderohet shumë i mundshëm.
Kjo erdhi pasi kryeministri britanik Boris Johnson shprehu frikën për sigurinë e Evropës gjatë një telefonate me liderët perëndimorë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden.
Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace tha se një pushtim mund të vijë “në çdo kohë”.
Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan tha se një sulm para përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore më 20 shkurt ishte një “perspektivë e besueshme”.
Sullivan theksoi se Rusia mund të zgjedhë “në një mënyrë shumë të shkurtër për të filluar një aksion të madh ushtarak kundër Ukrainës”, por theksoi se SHBA nuk e di nëse Putin ka marrë një vendim përfundimtar.
Në një telefonatë që zgjati rreth 80 minuta, Downing Street tha se Johnson u kërkoi aleatëve të NATO-s t’i bënin të qartë Moskës se ekziston një “paketë e rëndë sanksionesh ekonomike”.
Zyrtarët besojnë se numri i shtetasve britanikë në Ukrainë është me mijëra.
Disa punonjës të ambasadës britanike dhe familjet e tyre po tërhiqen nga Kievi.
Britanikët u paralajmëruan se nuk duhet të presin ndihmë për evakuim në rast të një pushtimi./ a.jor.























