TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi priti dje Sekretaren e Shtetit të Austrisë, Claudia Plakolm dhe Christian Steiner, ambasador i Republikës së Austrisë në Shqipëri, për një pasdite frymëzuese me të rinjtë dhe për të rinjtë, ku një vëmendje e veçantë iu dha dhe mbështetjes së Austrisë për Integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.
“Ndër të tjera, bashkë me sipërmarrësit e rinj shqiptarë, ndamë me Claudia Plakolm, eksperienca interesante nga të rinjtë dhe sfidat që ata hasin në përditshmëri”, tha Muzhaqi.
“Ky takim ishte mjaft inkurajues për të gjithë sepse kishim një shembull real sesi kontributi nëvendimarrje që në moshë fare të re i Sekretares së Shtetit për Rininë në Austri, përkthehet në një super punë për të rinjtë”, theksoi ministrja.
Gjithashtu Sekretarja austriake e Shtetit për Rininë, Claudia Plakolm zhvilloi në Europe House një diskutim me ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, ambasadorin austriak Christian Steiner, dhe Ambasadorëve të Rinj Evropianë.
“Fuqizimi i të rinjve shqiptarë, duke mbështetur idetë e tyre dhe duke krijuar mundësi shkëmbimi me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë mbetet fokusi i Team Europe”, thuhet në një postim të Delegacionit të BE në Tiranë.
/r.e/























