Ballina Ekonomi

Krifca me prodhuesit e përpunuesit e mollëve në Devoll për tregjet e reja 

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca takoi sot prodhues dhe përpunues të mollëve në Devoll të Korçës, për të diskutuar mbi hapjen e tregjeve të reja për produktet e tyre.

Krifca kujtoi se në qarkun e Korçës ka një ndryshim të madh pozitiv krahasuar me vitet e mëparshme, dhe hap pas hapi ndryshimet pozitive do të vazhdojnë.

Ajo u bëri thirrje fermerëve që të plotësojnë dokumentacionet e nevojshme për të përfituar nga programet e ndihmës, qofshin grante apo kredi të buta, për të rritur standardin e produktit të tyre dhe për ta bërë atë të konkurrueshëm jo vetëm me produktet që importohen në vend, por konkurrues të denjë në tregje të reja jashtë vendit.

“Duke iu referuar fakteve, këtu ka investim që nuk e kishit. Keni mekanikë bujqësore që e kanë bërë procesin e punës shumë efikas. Ka pika grumbullimi që më parë nuk ekzistonin. Ky është fakt. Unë do të dëgjoj sot propozimet tuaja për forcimin dhe përmirësimin e tregjeve dhe do të marr angazhime për t’i çuar gjërat përpara”.

Krifca ka parashikuar edhe një takim tjetër, ku do të ketë diskutime konkrete me prodhuesit dhe përpunuesit, mbi tregjet e reja potenciale.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAustria mbështet fuqizimin e të rinjve
Artikulli tjetërBalla: Konvertimi i patentave shqiptare në Gjermani pa provime shtesë