TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se, PD vendosi të votojë pro zgjatjes së mandatit të organeve të Vetingut, pasi nuk është penguese e Reformës në Drejtësi.
Duke folur sot në emër të grupit parlamentar të PD për zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut, Alibeaj tha se, “ne vendosëm të votonim pro, pa asnjë lloj dridhje qerpiku”.
“E di, e di shumë mirë, se që sot, nesër, pasnesër, banaqet televizive, media të sponsorizuara, njerëz, do të thonë: çfarë bëtë juve? Bashkuat votën dhe gëlltitët atë çfarë keni thënë në këtë kohë? Po doni personalisht edhe e pranojmë. Por mbi të gjitha interesi publik është ai që duhet të prevalojë. Sepse kishim disa teste morale që gjithsecili prej nesh duhet ta kishte kaluar”, u shpreh Alibeaj.
“I pari është marrëdhënia me partnerët tanë, të cilët janë aty në lozha. Të cilëve ua kemi thënë situatën e keqe ku Reforma në Drejtësi është, ku Vetingu është. Për zbrazje, për kapjen politike, për selektivitetin, për njerëz që i kanë shërbyer drejtësisë me devocion dhe sot janë në shtëpi e ku njerëz, të cilët të korruptuar, të njohur publikisht, si gërryes parash, sot vazhdojnë jo vetëm të jenë në sistem, por të jenë në krye të këtij sistemi. E pra, ky është testi i parë”, tha ai.
“Na ka përndjekur kjo ideja që ne jemi kundër Reformës në Drejtësi. Nuk kemi qenë asnjëherë kundër Reformës në Drejtësi. Absolutisht. Frika ka qenë e madhe dhe është vërtetuar që Reforma në Drejtësi do të kapej, drejtësia do të kapej politikisht. Ka ndodhur! Ai që ishte gabimi ynë, është që ramë në këtë kurth psikologjik. Që u shndërruam në sytë, jo vetëm të publikut, por edhe të ndërkombëtarëve si pengues. Jo nuk jemi pengues. Shembulli është ky sot. Me kosto, absolutisht me kosto. E dimë që nesër, pasnesër, deri më 6 mars, ata të cilët janë në fushën e betejës, do ta përdorin këtë kundër nesh”, theksoi Alibeaj.
Alibeaj: PD është për një reformë të re territoriale
Mbrëmjen e sotme, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj përmes një postimi u shpreh se PD është për një reformë të re territoriale e cila nuk i konsideron qytetarët vetëm numra për vota, por e çon qeverisjen vendore më afër tyre.
“Për këtë, ne do të nisim konsultimet me ekspertë dhe qytetarë në të gjithë vendin, për të mundësuar një ndarje të re territoriale sipas vullnetit dhe nevojave të njerëzve dhe jo tekave të politikanëve”, u shpreh ai.
“Me ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ne nisim pa humbur kohë punën që në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të adresojmë problematikat dhe të ngremë mekanizmat e nevojshëm ligjorë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD do të bëjmë gjithçka për tu dhënë shqiptarëve ndryshimin që duan, të ardhmen që meritojnë”, përfundoi Alibeaj.
Kuvendi i Shqipërisë vendosi sot ngritjen e Komisionit të Reformës zgjedhore dhe atë Territoriale.
/j.p/r.e/























