Ballina Aktualitet

Policia: Punohet për mbajtjen hapur të rrugëve nga dëbora

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, në disa akse dhe segmente rrugore është krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Policia e Shtetit bëri të ditur sot se, kryesisht në bajpasin e Rrugës së Arbrit dhe në Qafë Murrizë është vështirësuar qarkullimi i automjeteve, dhe si pasojë në këtë aks nuk lejohet qarkullimi deri në pastrimin e saj nga borëpastrueset.

Ndërsa në Qafën e Thanës, zona e Librazhdit dhe në Rrugën e Kombit, aktualisht kalohet pa zinxhirë, pasi po punohet me borëpastruese për të mbajtur pastër këto akse rrugore.

Policia shtoi se, në disa akse rrugore rurale, në Korçë, Shkodër, Dibër e Kukës, kalimi bëhet me zinxhirë.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje, për shkak të motit të keq, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash emergjente, duke rritur prezencën e shërbimeve me uniformë, në të gjitha rrugët e vendit.

Policia e Shtetit apeloi për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të rrisin kujdesin në rrugë gjatë kalimit në të gjitha akset rrugore, pasi ka prezencë të ujit dhe të dëborës, të vendosin rripin e sigurimit dhe mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë parakalime dhe të mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit, apo më keq akoma, në gjendje të dehur.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak”Daimler” ndryshon zyrtarisht emrin në ”Mercedes-Benz”
Artikulli tjetër“Xhamat e errësuar”, Policia e Tiranës arreston 7 persona