Ballina Bota

SHBA – Blinken: Të përkushtuar për mbrojtjen e Ukrainës

UASHINGTON, 28 janar /ATSH/ – SHBA qartëson se ekzistojnë parime thelbësore që ne jemi të përkushtuar t’i mbështesim dhe mbrojmë – duke përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e shteteve për të zgjedhur marrëveshjet dhe aleancat e tyre të sigurisë, deklaroi në një konferencë shtypi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sipas https://www.state.gov/secretary-antony-j-blinken-at-a-press-availability.

”Përgjigjja jonë ndaj Rusisë pasqyron atë që thashë në Kiev, Berlin dhe Gjenevë javën e kaluar. Ne jemi të hapur për dialog, ne preferojmë diplomacinë dhe jemi të përgatitur të ecim përpara aty ku ka mundësi komunikimi dhe bashkëpunimi nëse Rusia depërshkallëzon agresionin e saj ndaj Ukrainës, ndal retorikën nxitëse dhe i afrohet diskutimeve për të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë në Evropë në frymën e reciprocitetit”, deklaroi Blinken.

”Pres të flas me ministrin e Jashtëm rus, Lavrov në ditët në vijim pasi Moska të ketë mundësinë për të diskutuar hapat e ardhshëm”, theksoi ai.

”Tri dërgesa të ndihmës ushtarake mbrojtëse të SHBA-së mbërritën në Kiev këtë javë, duke bartur raketa shtesë Javelin dhe sisteme të tjera, 283 tonë municione dhe pajisje jovdekjeprurëse thelbësore për mbrojtësit e vijës së parë të Ukrainës. Më shumë dërgesa priten në ditët në vijim. Ne i kemi ofruar Ukrainës më shumë ndihmë për sigurinë mbrojtëse vitin e kaluar sesa në çdo vit tjetër”, shtoi Blinken.

”Javën e kaluar, autorizova aleatët e SHBA-së, përfshirë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, të ofrojnë pajisje ushtarake me origjinë nga SHBA nga inventarët e tyre për përdorim nga Ukraina”, shtoi ai.

”Gjithashtu javën e kaluar, ne njoftuam Kongresin për qëllimin tonë për t’i dorëzuar Ukrainës helikopterët Mi-17”, tha në konferencën e tij të shtypit, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLSI dhe PKD dërgojnë në KQZ kërkesë për t’u regjistruar në zgjedhje
Artikulli tjetërOperacion kundër lojërave të fatit në Fier, arrestohen 17 persona