Gjenerali amerikan për marrëveshjen: Bashkëpunimi ynë shembull për vendet e tjera

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Gjenerali amerikan James Logan Jones Jr, drejtues i kompanisë “Jones International” deklaroi sot se, “do të punojmë së bashku me Shqipërinë për ta ndihmuar që ta bëjmë Shqipërinë më të sigurt në fushën e sigurisë kibernetike”.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë për firmosjen e marrëveshjes për forcimin e sigurisë kibernetike në vend me kompaninë “Jones International”, gjenerali Jones e cilësoi si nder të madh pjesëmarrjen “në një akt zyrtar që do të bëjë shumë, shumë gjëra”.

Ai theksoi se, “gjëja e parë dhe më e rëndësishme është që do të punojmë së bashku me Shqipërinë për ta ndihmuar që ta bëjmë Shqipërinë më të sigurt në fushën e sigurisë kibernetike”.

Në fakt, shtoi gjenerali Jones, “ka rreziqe të qarta dhe shumë të dukshme për vendet tona në këtë drejtim dhe dua ta përgëzoj Kryeministrin për vizionin e tij, për ambicien për ta shndërruar vendin e tij, në një vend në pozitë shumë herë më të sigurt”.

“Jemi të nderuar që jemi në gjendje të ndihmojmë në çdo lloj mënyre që mundemi për të arritur këtë objektiv”, tha ai.

Po kështu, shtoi gjenerali Jones, “mendoj që është një shprehje e marrëdhënieve dypalëshe midis SHBA dhe Shqipërisë, që kanë qenë gjithmonë, jashtë mase të forta”.

“Si një ushtarak që e ka përmbyllur karrierën e tij në 2007-n në NATO, unë kam pasur privilegjin që ta vizitoj Shqipërinë në cilësinë time, në pozicionin e drejtuesit të Komandës së Aleancës Supreme dhe gjithashtu edhe kam dëshmuar momentin kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s që ka qenë një moment shumë krenar për ne”, u shpreh gjenerali Jones.

“Dua të them që puna që do të bëjmë së bashku do të jetë një shembull për vendet e tjera në Organizatën e Atlantikut Verior, vende të cilat janë mike e demokratike. Vende mike me SHBA-në e me Shqipërinë, për të parë se çfarë mund të bëhet në fushën e sigurisë kibernetike”, tha ai.

Gjenerali Jones siguroi se, “suksesi që do të arrijmë do të jetë, jo vetëm transformues në shumë shumë mënyra, por do të sjellë gjithashtu një shkallë sigurie, vende pune dhe begati ekonomike për Shqipërinë, pasi është e rëndësishme që shqiptarët të jenë përgjegjës për sigurinë e tyre dhe deri në shkallën që ne mund t’i ndihmojmë ata ta bëjnë këtë. Kjo është pjesë e ambicies tonë”.

Duke falënderuar Kryeministrin Rama për këtë mundësi, gjenerali Jones u shpreh se, “nuk do t’ju zhgënjejmë. Presim me padurim që të punojmë në përputhje me përparësitë tuaja, për ta çliruar Shqipërinë nga shqetësimi i sulmeve kibernetike, si edhe kërcënimet e brendshme”.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.