TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Enti Rregullator i Energjise zhvilloi sot seancën dëgjimore publike ku u diskutua me palët e interesit në lidhje me aplikimin e shoqërisë OST për tarifën e transmetimit të energjisë elektrike për vitin 2022 dhe periudhën 2022-2024 dhe aplikimit të tarifave të OSSH për vitin 2022.
Në këtë seancë dëgjimore, ishin ftuar të gjithë palët e identifikuara të interesit si shoqata konsumatori, shoqata prodhuesish apo tregtarësh, si dhe çdo institucion tjetër që në funksion të veprimtarisë ka mes të tjerave edhe adresimin e çështjeve të interesit të konsumatorit shqiptar.
Seanca dëgjimore pati në fokus të saj prezantimin nga ana e përfaqësuesve te OSSH dhe OST të aplikimeve për tarifë si dhe sqarimeve të nevojshme në lidhje me elementët përbërës të këtyre aplikimeve si dhe adresimin e pyetjeve të palëve pjesëmarrëse.
“Qëllimi i ERE-s është që në vendimmarrjen e saj për shqyrtimin e tarifave të propozuara nga OST dhe OSSH, të balancojë interesat e palëve duke mbajtur në konsideratë që këto tarifa të bazohen në kosto të drejta dhe të argumentuara si dhe të reflektojnë aktet e tjera ligjore në fuqi të tillë si politikat në fushën e burimeve të rinovueshme apo planeve të konsolidimit financiar të sektorit të energjisë dhe detyrimeve që lidhen me shërbimin publik”, bën të ditur ERE.
Nga ana tjetër ERE thotë se synon të ruajë ekuilibrat mes palëve të interesit por edhe nevojave të shoqërive që ofrojnë shërbime të rregulluara.
OSSH ka kërkuar që për klientët lidhur në tensionin 35 kV, tarifa e shpërndarjes të shkojë në 2.61 lekë/kwh, nga 1.5 lekë/kwh që është aktualisht, ndërsa për tensionin 0.6-20 KV të shkojë 3.99 lekë/kwh nga 3.9 lekë/kwh që është aktualisht. Për klientët e tjerë fundorë të lidhur me rrjetin e shpërndarjes në nivelet e tjerë të tensionit, OSSH aktualisht faturon energjinë e lëvruar bazuar në tarifën mesatare të shpërndarjes së energjisë elektrike prej 4.79 lekë/kwh, ndërkohë që në aplikimi kërkuar që kjo tarifë të shkojë në 6.63 lekë/kwh.
Kompania publike OST kërkon që tarifa të shkojë 1.47 lekë/kwh nga 0.75 lekë/kwh që është aktualisht. /j.p/












