TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e tretë të vitit 2021 vlerësohet me rritje prej 6,99 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2020.
Sipas raportit të tregtisë së jashtme në tremujorin e tretë të vitit 2021 kontribut pozitiv kanë dhënë degët tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor me 2,41 %, industri, energji dhe uji me 1,03 %, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 0,83 %.
Ndërkohë negativisht kontribuan aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative me 0,23 %, arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi me 0,05 %.
Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me 1,30 %.
INSTAT paraqiti edhe të dhënat mbi degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e tretë të vitit 2021, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020.
Sipas INSTAT-it krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, bujqësia, pyjet dhe peshkimit shënoi rritje me 0,26 %.
Aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit pati një rritje me 9,37 %. Aktiviteti i ndërtimit pati një rritje me 3,95 %. Grupi i aktiviteteve tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor pati një rritje prej 13,76 %.
Grupi i aktiviteteve informacioni dhe komunikacioni u shfaq me rritje prej 8,19 %. Aktiviteti financiar dhe i sigurimit ka shënuar një rritje prej 27,71 %. Aktiviteti i pasurive të paluajtshme ka shënuar një rritje prej 6,51 %.
Grupi i aktiviteteve profesionale dhe shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 3,53 %. Grupi i aktiviteteve të administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë u shfaq me rritje prej 6,85 %.
Grupi i aktiviteteve arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi pati një rënie me 2,09 %. Taksat neto mbi produktet u rritën me 10,37 %. /a.a/























