BRUKSEL, 10 dhjetor /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian do të vendosë sanksione kundër Wagner Group, një organizatë paraushtarake ruse, gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së të hënën e ardhshme në Bruksel, raportoi sot një zyrtar i lartë i BE-së.
Sanksionet do të zbatohen për tetë individë, Wagner Group dhe tre institucione të tjera të lidhura. Masat përfshijnë një ndalim të udhëtimit në vendet e BE-së dhe ngrirje të çdo pasurie të mbajtur në bllok.
Kufizimet nënkuptojnë gjithashtu se subjektet dhe individët e BE-së nuk mund të bëjnë biznes me ata që janë të implikuar.
Zyrtari i BE-së tha se, sanksionet janë rezultat i aktiviteteve të Wagner Group në Siri, Libi dhe Ukrainë, si dhe i akuzave për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Masat hyjnë në fuqi të hënën pasi të miratohen zyrtarisht nga ministrat e jashtëm të BE-së.
Kohët e fundit BE-ja ngriti shqetësime lidhur me vendosjen e Wagner Group në Mali. Anëtarët e BE-së paralajmëruan se do t’i jepnin fund mbështetjes së tyre për shtetin e goditur nga kriza nëse grupit mercenar rus i jepej një kontratë.
BE-ja po zhvillon trajnime ushtarak në Mali për të ndihmuar forcat e armatosura në rajon të luftojnë grupet terroriste. Shteti i paqëndrueshëm i Afrikës Perëndimore është rrënuar prej vitesh nga terrorizmi islamik. //a.i/























