TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ Pavarësisht temperaturave të ulëta këto ditë dhjetori, punonjësit e ndërmarrjeve të bashkisë së Tiranës kanë nisur një aksion të gjerë në të dy anët e autostradës Tiranë-Durrës si dhe në rrugën e Rinasit për pastrimin nga mbeturinat.
Edhe pse të konsideruara si porta hyrëse për në kryeqytet, qeset plastike, gomat dhe mbetjet inerte hidhen jo pak herë nga qytetarë apo bizneset e papërgjegjshme, duke lënë një pamje jo të mirë për vizitorët si dhe turistët e huaj që përdornin aeroportin e Rinasit apo portin e Durrësit.
Qindra punonjës të ndërmarrjeve të pastrimit si dhe mjete pastrimi kanë punuar përgjatë këtyre dy segmenteve të cilat ishin kthyer në një vendgrumbullimi për mbetjet duke dëmtuar imazhin e vendit tonë.
Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë disa aksione për pastrimin edhe të rrugëve hyrëse për në kryeqytet duke dhënë një tjetër pamje turistëve të shumtë që po zgjedhin kryeqytetin shqiptar në turin e tyre evropian.
/a.a/r.e/























