TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit.
Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se “pavijoni do të kurohet nga Adela Demetja, njohëse mjaft e mirë e veprës së Blloshmit, por edhe një kuratore me eksperiencë të konsoliduar brenda e jashtë vendit”.
“Vetëm pak ditë më parë u mbush një vit nga ndarja e artistes nga jeta, për shkak të COVID-19 dhe Ministria e Kulturës e pa të udhës t’i bëjë një homazh figurës së kësaj artisteje me një temperament të rrallë, gjithnjë kërkuese, gjithnjë provokuese, duke e përzgjedhur pikërisht atë si artisten e vitit 2022”, tha Margariti.
Ndërkohë, Margariti u shpreh se kuratorja Adela Demetja iu përgjigj kërkesës së ministrisë me një qasje që bën bashkë disa mediume e që do të paraqesë të plotë veprën edhe botën e Lumturi Blloshmit, e cila i tejkalonte kufijtë e lokales.
/m.m/a.a/r.e/























