Krifca: Hidrovoret në funksion të plotë, po monitorojmë situatën në terren

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bëri të ditur mesditën e së hënës, situatën e krijuar në vend si pasojë e motit me reshje intensive që ka përfshirë të gjithë territorin prej mbrëmjes të së dielës.

“Vijojmë me vëmendje të veçantë e në komunikim intensiv me Drejtoritë e Ujitjes dhe të Kullimit në ndjekje të situatës së shkaktuar nga moti i keq”, shprehet Krifca.

Ministrja informoi se, “deri më tani nga inspektimet në terren të drejtorive të Ujitjes dhe të Kullimit Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë, rezulton se sasitë e konsiderueshme të reshjeve të shiut që kanë rënë gjatë natës dhe po vazhdojnë ende, kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ujit në infrastrukturën e kullimit, por pa krijuar probleme”.

“Të gjithë hidrovoret janë në funksion të plotë dhe po punohet për mbajtjen e niveleve normale të ujit, megjithëse kemi rritje të prurjeve të ujit në kolektorët kryesor, që përcjellin ujin tek hidrovoret”, tha Krifca.

Gjithashtu informon ministrja, nivelet e lumenjve nuk përbëjnë shqetësim për dalje nga shtretërit apo përmbytje.

Krifca vuri në dukje se stafet teknike të drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit janë në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën, kryesisht për të ndërhyrë me ekskavatorë në rast të bllokimit nga papastërtitë e kanaleve kulluese, si dhe po vlerësohen në mënyrë dinamike nivelet e lumenjve.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.