Mori para në këmbim të gradës, SHÇBA arreston pedagogun e Akademisë së Sigurisë

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ekzekutoi sot vendimin penal të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në të cilin është vendosur masa e sigurimit personal “Arrest me burg” për punonjësit e policisë: kryekomisar Q.G., me detyrë lektor në Fakultetin e Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë dhe inspektor D.L., me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Autostradave në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor, kandidat në procesin e konkurrimit për gradën “Nënkomisar”.

Vendimi i GJPKKO për masën e sigurimit ndaj këtyre punonjësve të policisë u mor pas hetimeve disa mujore të kryera nga Drejtoria e Hetimit të SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, në funksion të procedimit penal Nr. 382/2021 për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.

Gjatë hetimeve të kryera në përdorim të metodave speciale, u bë e mundur të dokumentohej me prova ligjore veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të policisë, e cila konsistonte në dhënien e premtimeve dhe kryerjen e veprimeve konkrete për të favorizuar në mënyrë të padrejtë kandidatët që konkurronin në testimin për gradën “Nënkomisar” në Akademinë e Sigurisë për vitin 2021.

Subjektet e këtij procedimi penal, në procesin e konkurrimit kanë depozituar dhe përdorur dokumente të fallsifikuara me qëllim përfitimin e padrejtë të pikëve në kualifikimin përfundimtar të konkurrentëve.

Në funksion të hetimeve të kryera dhe të ekzekutimit të vendimeve penale të GJPKKO, u kryen kontrolle banesash, zyrash nga të cilat u sekuestruan prova materiale që dokumentojnë veprimtarinë e kundërligjshme të subjekteve.

Veprimet dhe aktet proceduriale u referuan në SPAK. Hetimet vazhdojnë.

Gjithashtu SHÇBA njofton se bazuar në kallëzimin e shtetasit A.C., nga ana e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA-së Tiranë u referuan materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të punonjësit të policisë Inspektor M.E., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Punonjësi i policisë M.E. dyshohet se më datë 26.11.2021, rreth orës 14:15, në rrugën “Brigada VIII” Tiranë, duke qenë jashtë orarit të shërbimit, është përplasur fizikisht për motive të dobëta me shtetasin A.C.

SHÇBA gjithashtu thekson se, Drejtoria Rajonale e SHÇBA Kukës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin A.B., 35 vjeç, me detyrë punonjës policie në repartin e FNSH Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”,.

Arrestimi u krye pasi më datë 28.11.2021, rreth orës 15:45, në vendin e quajtur “Qafa Tobli” në aksin rrugor Krumë – Kukës, duke drejtuar mjetin “Opel”, ka humbur kontrollin duke goditur mjetin “Skoda” me drejtues shtetasin B.L., 28 vjeç.

Në mjetin që drejtohej nga shtetasi B.L. ndodheshin edhe dy pasagjerët 19 vjeçe e 21 vjeç, të cilët kanë pësuar dëmtime të lehta dhe pas marrjes së mjekimit në spitalin e Kukësit, janë larguar në banesë. Shtetasi I. L., 21 vjeç, ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Kukësit e më pas është dërguar për mjekim më të specializuar në spitalin e Prizrenit, ndërsa punonjësi i policisë A.B. ndodhet i shtruar në spitalin e Kukësit. Të dy gjenden jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesit e mjeteve i janë nënshtruar testeve të alkoolit me pajisjen drager dhe ka rezultuar se nuk kishin konsumuar pije alkoolike.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.