Ballina Flash

Kumbaro: Model i zhvillimit të qëndrueshëm për Vjosën

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot se, për Vjosën duhet një model i zhvillimit të qëndrueshëm, para se të shkohet drejt shkallës më të lartë të mbrojtjes së lumit, që është statusi i “Parkut Kombëtar”.

Kumbaro zhvilloi biseda me tri organizata të mëdha globale për Vjosën.

“Një muaj pas sinergjisë që patëm me Leonardo Di Caprio, zhvilluam dy biseda goxha të gjata e të shtruara me tri organizata të mëdha globale për Vjosën”, theksoi ajo në një reagim.

“Me Wes Sechrest, që përveçse është një ekspert i shkëlqyer i biologjisë dhe drejtues i organizatës Re:wild pjesë e së cilës është edhe Leonardo Di Caprio, ramë në një mendje se për Vjosën na duhet një model i zhvillimit të qëndrueshëm, para se të shkojmë drejt shkallës më të lartë të mbrojtjes së lumit që është statusi i “Parkut Kombëtar” – model zhvillimi që ndihmon rreth 60,000 njerëzit që kanë ndërtuar prej shekujsh jetën e tyre përgjatë lumit, e po ashtu siguron plotësisht që gjallesat e shumta të jetojnë në habitatet e tyre natyrore”, u shpreh Kumbaro në një reagim.

“Prandaj në vitin 2020 e kemi shpallur Vjosën zonë të mbrojtur, siç informova edhe Ryan Gellert, CEO i Patagonia Works dhe Kris Tompkins, presidente e Tompkins Conservation, dy zëra të fuqishëm në SHBA në çështjet e mjedisit dhe biodiversitetit”, tha Kumbaro.

“Vizioni ynë për ‘lumin e fundit të egër në Europë’ që kemi fatin ta kemi në Shqipëri është i qartë dhe kapërcen çdo kufi. Punën e kemi nisur lokalisht e globalisht deri sa ta realizojmë, sepse kemi energjinë, pasionin dhe ekspertizën që na duhet!”, u shpreh Kumbaro.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMori para në këmbim të gradës, SHÇBA arreston pedagogun e Akademisë së Sigurisë
Artikulli tjetër“Ballkani i hapur”, marrëveshje të reja në fund të dhjetorit, lehtësi për 500 kompani shqiptare