Hapet programi i Masterit në Drejtësi Tranzitore

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Prezenca e OSBE në Shqipëri organizoi pasditen e sotme ceremoninë për përurimin e programit të Masterit në Drejtësi Tranzitore.

Në ceremoni morën pjesë kryetari i prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në vendin tone, Jannis von Oy, rektori i Universitetit të Tiranës dhe dekanët e Fakulteteve të Shkencave Sociale, Historisë dhe Filologjisë, si dhe Drejtësisë, përkatësisht Artan Hoxha, Edmond Rapti, Sabri Laci dhe Ilir Rusi.

Kryetari i prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco në fjalën e tij u shpreh se, “kjo përpjekje filloi në muajin shtator, kur katër ekspertë ndërkombëtarë me emër trajnuan gjatë një periudhe njëmujore pedagogët e Universitetit që do të japin mësim në këtë program të nivelit Master”.

“Tani po korrim frytet konkrete të përpjekjeve tona të përbashkëta. Pedagogët që u trajnuan në shtator tani do t’i japin mësim studentëve, duke iu ofruar atyre një mundësi të pashoqe për të zgjeruar njohuritë dhe për të kryer studime në çështjet sociale, ligjore dhe politike që kanë lidhje me drejtësinë tranzitore”, theksoi ai.

“Ne do t’u qëndrojmë pranë për t’u ofruar mbështetje të mëtejshme po qe nevoja. Sepse OSBE-ja është e angazhuar prej kohësh në përpjekjet për forcimin e themeleve të debatit demokratik dhe institucioneve demokratike në Shqipëri”, u shpreh Del Monaco.

“Duke qenë i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe unik në rajonin e Ballkanit, ky program dyvjeçar i nivelit Master u krijua me synimin për të nxitur kërkimin shkencor, debatin akademik dhe ndërgjegjësimin e publikut rreth çështjeve sociale, politike dhe ligjore që kanë lidhje me transformimin e shoqërisë shqiptare në procesin e shkëputjes nga e kaluara komuniste dhe përballjes me të. Kurrikula e plotë dhe e gjithanshme, që ngërthen një gamë të gjerë këndvështrimesh nga fusha e ligjit, historisë, dhe shkencave sociale, është ideuar për t’i pajisur studentët me një kuptim të gjithanshëm të drejtësisë tranzitore, plotësuar nga mundësitë për praktika të ndryshme që sigurojnë një përvojë të drejtpërdrejt profesionale në punën kërkimore dhe analizën e çështjeve të lidhura me drejtësinë tranzitore”, tha Del Monaco.

“Pavarësisht përparimeve të jashtëzakonshme që janë bërë në këtë fushë, mekanizmat e drejtësisë tranzitore që synojnë përballjen me historinë e abuzimeve të regjimeve të kaluara janë ende të pastudiuara mirë dhe të anashkaluara si në politikëbërje, ashtu edhe në diskursin akademik”, shtoi Del Monaco.

“Arsimi, në këtë kuadër, dhe ju të gjithë e dini se sa shumë respekt kam për arsimin, si dhe për mësuesit e profesorët, luan një rol vendimtar për të vënë në dispozicion të vendimmarrësve njohuritë e nevojshme në fushën e vendosjes së drejtësisë dhe pajtimit social, duke realizuar dhe ofruar studime të avancuara dhe gjetje të përditësuara të kujtesës historike”, theksoi ai.

Del Monaco shtoi se, “prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka ndjekur një strategji shumëvjeçare për të konsoliduar zhvillimin e kërkimit dhe mësimdhënies në fushën e drejtësisë tranzitore në Shqipëri. Në vitin 2018, Prezenca mbështeti dhjetë studiuesve të rinj shqiptarë për të ndërmarrë projekte studimore në fushën e drejtësisë tranzitore me ndihmën edhe të studiuesve ndërkombëtarë. Veç kësaj, në Universitetin e Tiranës, Prezenca mbështeti krijimin e një Qendre të specializuar për Drejtësinë dhe Transformimin – një strukturë shumëdisiplinore që synon të hedhë themelet për forcimin e debateve aktuale të akademikëve dhe specialistëve lidhur me këtë fushë”.

“Në funksion të hartimit të programit Master, u kryen konsultime me institucionet përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare, përkatësisht me Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë, Institutin për Studimin dhe Pasojat e Krimeve të Komunizmit, si dhe Kujto – Arkivi i Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit. Me pak fjalë, krijimi i këtij programi Master ofron një mundësi të pashoqe për të shfrytëzuar potencialin e kërkimit akademik në funksion të gjetjes së rrugëve të reja për trajtimin e të këqijave të së kaluarës komuniste përmes dialogut të bazuar në fakte dhe shembujve konkretë të pajtimit”, tha Del Monaco.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.