TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Ngjarja kriminale në Deçan ku nga sulmi me armë drejt një autobuzi që transportonte nxënës, raportohet për 3 të vdekur dhe 1 të plagosur, ka sjellë reagime dhe në Tiranë.
Rama: Jetët e marra na kanë brengosur të gjithëve
Kryeministri Edi Rama reagoi sot për ngjarjen e rëndë në Deçan.
“Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve. Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues”, u shpreh kryeministri Rama.
Meta: Solidaritet me familjet e të vrarëve
Presidenti Ilir Meta u shpreh sot, “thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur”.
Meta u shprehu ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë.
“Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë!”, theksoi Meta në një reagim.
“Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor”, u shpreh Meta.
Xhaçka: Pikëllim e dhimbje për tragjedinë në Kosovë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka përcolli mbrëmjen e sotme mesazh ngushëllimi për ngjarjen në Deçan.
“Pikëllim e dhimbje për tragjedinë në Kosovë të shkaktuar nga një dorë kriminale që meriton dënimin më të ashpër që parashikon ligji. Mendjet e lutjet tona iu shkojnë familjeve të viktimave të pafajshme! U prehshin në paqe!”, u shpreh Xhaçka.
Basha: Ngushëllimet më të ndjera familjeve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i përcolli mesazh ngushëllimi familjeve të viktimave të ngjarjes kriminale ndodhur mbrëmjen e sotme në Deçan.
“Dhimbje dhe trishtim për ngjarjen e sotme në Deçan.Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Shërim të shpejtë nxënësit që po merr ndihmën mjekësore. Jam i sigurt se autoritetet do bëjnë gjithçka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër”, u shpreh Basha.
Si pasojë e sulmit me armë të një autobusi në fshatin Gllogjan, tre persona kanë vdekur, si dhe një tjetër është plagosur, konfirmoi policia e Pejës për KosovaPress.
/j.p/























