KOMENT – Pse kriza e mikroçipeve po trondit botën?!

ROMË, 26 nëntor /ATSH/ – Bota ka mungesë të mikroçipave dhe të parët që paguajnë pasojat janë prodhuesit e makinave, të cilëve në shumë raste u është dashur të rishikojnë programet e tyre të prodhimit për shkak të mungesës së komponentëve, shkruan focus.it.

Por, çfarë është një mikroçip? Sa lloje ka? Dhe nga se përbëhen këto mrekulli të teknologjisë, të përbëra nga miliona ose miliarda përbërës në një hapësirë ​​më të vogël se një monedhë një cent?

Mikroçipet janë truri i shoqërisë së informacionit.

Dhe ato janë kudo, në kompjuterë dhe telefona inteligjentë, por edhe në frigoriferë, furra, sisteme të automatizimit të shtëpisë ka qindra të tilla dhe, në të ardhmen, do të ketë shumë të tjera.

Ato përbëhen nga një labirint qarqesh elektronike ”të gdhendura” në një substrat silikoni me teknika shumë të avancuara, të cilat lejojnë që strukturat të përqendrohen në një hapësirë ​​shumë të vogël që në të kaluarën do të kishte zënë dhoma të tëra apo edhe më shumë.

Elementi bazë i një çipi është transistori, i cili nga ana tjetër përbëhet nga një seri qarqesh.

Transistorët bëjnë të mundur përpunimin e njësive bazë të shkencës kompjuterike – “0” dhe “1” të sistemit binar.

Por, ka edhe një çip tjetër që ju lejon të bëni komunikime radio, në mënyrë që smartfoni juaj të mund të funksionojë në rrjetin celular, të lidhet me një rrjet wi-fi, apo përmes Bluetooth me kufjet pa tela e tjerë.

Këta mikroçipa kanë arkitektura tipike të transmetuesve të frekuencave radio, krejtësisht të ndryshme nga ato të një mikroprocesori.

Zhvillimi i teknologjive të reja si inteligjenca artificiale, pra, stimulon zhvillimin e çipave të rinj dhe gjithnjë e më të specializuar./ /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.