TIRANË 26 nëntor /ATSH-I.Vata/ Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ne fokus të bisedimeve ishte thellimit të marrëdhënieve strategjike dhe vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Ndamë sot në Prishtinë urimet më të ngrohta për festën kombëtare të 28 Nëntorit, Ditën e Flamurit dhe zhvilluam një bisedë të hapur për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve strategjike dhe vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, në të gjitha fushat”, shprehet ai.
Po ashtu, Meta, vë theksin te bashkëpunimi mes vendeve në kuadër të nismës rajonale të Procesit të Berlinit.
“Me shumë rëndësi konsolidimi i bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve tona, në kuadër edhe të nismave rajonale gjithëpërfshirëse, në mënyrë të veçantë të Procesit të Berlinit.Të bindur në nevojën jetike, që marrëveshjet ndërqeveritare që janë finalizuar dhe do të nënshkruhen, të konkretizohen në praktikë, për t’i shërbyer në mënyrë thelbësore forcimit të bashkëpunimit dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë”, shprehet Meta.
/r.e/













