Grantet për ndërtimin e shtëpive, Rama: S’do i linim qytetarët në nevojë se ishin zgjedhjet

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se grantet që iu dhanë qytetarëve para zgjedhjeve nuk kanë lidhje me zgjedhjet.

I pyetur në një intervistë televizive mbi akuzat e opozitës për dhënien e granteve qytetarëve që iu prishën shtëpitë nga tërmeti, Rama tha se, “është i gjithë një proces që ka të bëjë me njerëz në nevojë. Ato janë grante që kanë të bëjnë me ndërtimin e shtëpive. Sepse një pjesë e shtëpive individuale janë dhënë në formë grantesh pikërisht në ato zona, apo në ato pika ku ka qenë shumë më e komplikuar që të ndërtohej me kompani. Sepse një shtëpi këtu, një atje, kostoja ishte shumë e lartë”.

“Kryetarët e bashkive kanë punuar, edhe Ministria e Rindërtimit, me qytetarët për të kuptuar nëse qytetarët ishin të interesuar t’i merrnin grant një pjesë të parave. I kanë marrë grante, i ndërtojnë shtëpitë vetë, i kanë ndërtuar vetë faktikisht, ose janë grante të qirave. Kështu që është gjëja më normale në botë. Do linim ne njerëzit pa iu dhënë lekët meqenëse kishim zgjedhje. Kjo s’bën sens”, tha Rama.

I pyetur për patronazhistët e PS, Rama tha se, “patronazhistët nuk janë një shpikje e jona, janë një praktikë e të gjitha partive serioze të organizuara nëpër botë. Që nga partitë qoftë republikane qoftë demokrate në Amerikë, deri tek plot parti të tjera në Evropë, që janë parti me traditë dhe janë parti me shtrirje forcash në territor. Ajo që ne bëjmë është thjesht që përpiqemi prej kohësh që të kemi një makineri elektorale, e cila bazohet pikërisht në shtrirjen kapilare në territor dhe në një prekje nga afër të të gjithë zgjedhësve”.

I pyetur për databazën e përdorur gjatë zgjedhjeve nga PS, Rama tha se, “ne nuk kemi përdorur një databazë me të dhëna shumë sensitive”.

“Ne kemi përdorur një databazë të krijuar dhe të pasuruar vit pas viti. Kjo është një databazë e krijuar prej shumë vitesh dhe pasurohet vit pas viti se ndërrojnë dhe banorët, lëvizin etj. Ajo që ka ndodhur është që në media pastaj në debatin publik, është folur mbi një databazë që nuk është databaza jonë. Ne nuk kemi nevojë në databazën tonë, për shembull për numrat e kartave të identitetit. Por nga ana tjetër është fakt i njohur që regjistri i Gjendjes Civile ka qenë në internet i aksesueshëm deri në momentet kur u hap ky muhabet. Dhe ka qenë i aksesueshëm gjë që është provuar edhe nga fakti që mos gabohem, Karlo Bolino më duket me një pagesë elementare e bleu nga interneti. Ajo që pastaj është fakt, është që karta jonë e identitetit nuk ka të dhëna sensitive, sepse është një kartë identiteti që ka një numër identifikimi, por që nuk ka brenda asgjë. Nuk është kartë si në shumë vende që ka të dhëna si sigurimet shoqërore etj”.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.