Djegia e mandateve, Kryemadhi: Basha premtoi planin gjerman

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e ftuar në ‘Real Story’, ka folur pas shumë kohësh për marrëdhëniet mes partisë që ajo drejton dhe Partisë Demokratike.

Ajo tha se LSI ka bërë çdo gjë për të unifikuar opozitën që të dalë e bashkuar në zgjedhje, duke parë dhe presionin e fortë nga opinioni publik për një opozitë të bashkuar përballë qeverisë së Edi Ramës.

Për këtë ajo mori si shembull mënyrën si LSI hyri në zgjedhjet e vitit 2017, me një kandidat për kryeministër ndërkohë që në 25 prill LSI tha ajo pranoi një kandidat të vetëm për kryeministër që ishte Lulzim Basha.

Kryemadhi iu rikthye dhe vitit 2019, vit në të cilin opozita dogji mandatet dhe bojkotoi zgjedhjet lokale, veprime të cilat sipas kryetares së LSI erdhën pas premtimit të Lulzim Bashës se kishte një plan gjerman që do ta kalonte vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Në vitin 2017, LSI kërkonte votë për qeverisjë të drejtëpërdrejtë me kandidatin e saj të drejtëpërdrejtë i cili ishte zoti Petrit Vasili ndërsa në 2021, mund të themi se mund të jetë gabim, por ne për të unifikuar opozitën duke pasur parasysh se edhe vetë opinioni kërkontë një unifikim të opozitës përballë, ishte një unifikim për një opozitë të bashkuar që ne të dilnim me një kandidat të përbashkët. Pas marrëveshjes së 5 qershorit marrëdhëniet tona ishin shumë më ndryshe, besoj e mbani mend ‘Luli Basha, topi është në fushën tuaj’ ku fillon qëndrimi ynë për të ecur përpara më një marrëveshje dhe për çuar në një proces zgjedhor të gjithë shqiptarët pavarësisht kushteve që vendoseshin nga mazhoranca. Në momentin që ishim larguar nga parlamenti, kishim bojkotuar zgjedhjet, ishim larguar nga çdo institucion ajo që mendonim dhe që ishte shumë e rëndësishme ishte periudha e firmosjes dhe përgatitja e opozitës për të hyrë në zgjedhje. Që të jemi të sinqertë, mungesa e besimit pavarësisht se ne i qëndruam një marrëveshjeje të nënshkruar në prill të 2019 ka qenë unifikimi i opozitës. Menjëherë dhe pas bojkotit të zgjedhjeve lokale ne prisnim planin gjerman i cili do të angazhonte kancelaren Merkel për të çuar Shqipërinë drejt zgjedhjeve. Kjo ishte publike përballë të gjithë tryezës së frontit opozitar, sepse nuk i dogji vetëm LSI mandatet, i dogji dhe zoti Mediu, zoti Dule, zoti Nard Ndoka dhe Dashamir Shehi. Plani gjerman u quajt si plani ‘Marshall’ i cili do të rikthente në proces zgjedhor duke krijuar mundësi për hapjen e negociatave”, theksoi Kryemadhi.

Kryemadhi ka folur për herë të parë mbi marrëveshjen e 5 qershorit, e cila u dakordësua pas një pune disajavore të Këshillit Politik.

Ajo tha se në momentin e firmosjes të gjitha palët politike kishin oshilacione politike dhe emocionale dhe nuk donin të firmosnin paktin e propozuar dhe ishte LSI, pikërisht Petrit Vasili ai që firmosi i pari këtë marrëveshje. Madje, Kryemadhi tha se kishte hyrë garante tek ambasadorja amerikane Yuri Kim për këtë gjë si dhe kishte dhënë garancinë se në çdo rast LSI do të merrte pjesë në zgjedhjet e përgjishme.

“Atë kohë kemi pasur një ftesë nga OSBE nga Bochard për pjesëmarrjen në një tryezë ku duhet të ishin pjesë të gjitha partitë politike. Zoti Basha tha, që nuk shkojmë sepsë kjo është një kurth. Unë me pas kam vajtur me zotin Haxhinasto, me zotin Vasili dhe i kemi kërkuar që pjesëmarrja jonë në këtë tryezë do të jetë e domosdoshme dhe ne do të marrim pjesë, bën mirë që të vish dhe ti. Bën mirë që ne të kthehemi në institucione, bën mirë që ne të kthehemi në diskutime sepse nuk do të kuptojmë se çfarë ndodh. Dhe më pas, pas kësaj shkuam drejt Këshillit Politik i cili u ndërtua nga tre partnerët kryesorë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në atë kohë. U realizua një tryezë dhe prodhoi një produkt që erdhëm ne 5 qershor ku kishim një marrëveshje e cila u nënshkrua. Këtu përsëri, kemi qenë ne që kemi firmosur të parët sepse kishte oshilacione emocionale apo dhe politike të të gjitha palëve për të mos e firmosur dhe ka qenë zoti Vasili që ka firmosur i pari dhe kam qenë unë ajo që kam hyrë garant tek ambasadorja amerikane të cilës i thashë mos ki merak që edhe po qe se nuk e firmos Partia Demokratike do ta firmosë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe në procesin e zgjedhjeve ne do të jemi të gatshëm për të marrë pjesë pavarësisht çdo lloj procesi që do të ndodhë. Mesa duket, kjo pastaj solli dhe ato tradhëtitë e radhës me ndryshimet kushtetuese dhe Partia Demokratike nuk foli asnjë fjalë”, tha ajo.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i është përgjigjur Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazmend Bardhi në lidhje me deklaratën e tij se PD i ka ofruar LSI, 15 mandate në zonë të sigurt. Kryemadhi tha se Bardhi nuk ka qenë i pranishëm në asnjë takim që ajo ka zhvilluar me kryedemokratin Basha dhe nënkryetarin e LSI, Petrit Vasili. I vetmi takim që sipas saj, ai ka qenë i pranishëm ka qenë takimi ballafaques për Elbasanin ku i ka kërkuar, sipas Kryemadhit, të mos dalë garant për bandat pasi do të kishte probleme. Ajo tha se Bardhi ka detyrime me drejtësinë për Elbasanin si dhe paralajmëroi atë dhe kryedemokratin Basha që të mos flasin në emër të LSI me ambasadoren amerikane duke lënë të kuptohet se ajo është në dijeni të këtyre bisedave.

E pyetur për raportin me PD në fushatë, Kryemadhi tha se, “pas ndryshimeve kushtetuese ne jemi mbledhur dhe kemi diskutuar për çështjen e sistemit”.

“Dhe i kam thënë që duhet të mendojmë dhe t’i analizojmë kalkulimet matematikore dhe sjelljen e zgjedhësve. Pra si i leverdis opozitës. Normal, që në mendimin tim nuk mendoja që Edi Rama do të unifikojë ty në një listë, sepse përderisa ai bën ndryshime të njëanshme kushtetuese duke dalë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kundër Bashkimit Europian kundër të gjithë atyre partnerëve që ne realizuam një marrëveshje me 5 qershor, nuk mendoj që Edi Rama është kaq bujar dhe xhymert me Bashën dhe me opozitën që po të fut ty në një listë që ti të shkosh të fitosh zgjedhjet”, tha Kryemadhi.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.