TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro i bëri apel sot qytetarëve të mbajnë pastër monumentet e kulturës.
Kumbaro ndau sot disa pamje nga aksioni për pastrimin e Kalasë së Beratit, duke theksuar se “në Berat, Kalaja shëmtohet dhe ne turpërohemi nga qeset dhe shishet që hidhen në cepat e bedenave shekullore”.
“Të kishin gojë e sigurt që nuk do të lëngonin për përballimin e luftërave me top, por për betejat e gjata me mbetjet që as i kishin çuar nëpër mend. Mund të fajësojmë nga mëngjesi në darkë kë të duam për situatën e mbetjeve, por s’e ndryshojmë dot faqen nëse secili prej nesh nuk merr përgjegjësitë që i takojnë. Kemi nevojë për qytetari, qytetari, qytetari”, shprehet Kumbaro.
Mbajtja pastër e ambienteve rreth monumenteve dhe jo vetëm është detyrë dhe përgjegjësi për të ofruar një turizëm cilësor.
Kalaja e Beratit vijon të jetë atraksioni turistik i preferuar për turistët e huaj dhe vendas në këtë sezon veror. E cilësuar si një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, kalaja e Beratit ngrihet si një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum.
Plani Kombëtar i Pastrimit nisi më 7 nëntor në Vlorë dhe po përfshin të gjitha qytetet e vendit.
/k.s/a.a/r.e/












