Kim: Largimi i gjyqtarëve të korruptuar dhe arrestimi i politikanëve, vetëm fillimi

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se, Shqipëria ka arritur suksese të vërteta në vitin 2021.

Në fjalën e saj gjatë takimit Konsultativ të Ministrisë së Brendshme me Donatorët, Kim tha se, “në fakt të gjithë në Shqipëri kërkojnë, ku gjithkush të ndihet i sigurt dhe i lirë. Një Shqipëri që përkrah drejtësinë për të gjithë, që garanton respektimin e të drejtave të njeriut dhe që mbron qytetarët e saj. Krimi i organizuar, korrupsioni dhe ekstremizmi i dhunshëm i shkatërrojnë këto cilësi. Ato minojnë demokracinë, shtrembërojnë tregjet, gërryejnë cilësinë e jetës dhe kërcënojnë shtetin ligjor”.

“Njerëzit e ndershëm dhe punëtor shkurajohen kur shohin se krimi i organizuar nuk kontrollohet. Kur njerëzit e ndershëm shohin politikanë të korruptuar ata humbasin besimin në sistem. Dhe ekstremistët e dhunshëm kërkojnë që të shkatërrojnë të gjithë institucionet qytetare. E ardhmja e ndritur e Shqipërisë mbështetet tek qytetari i zakonshëm shqiptar që beson se sistemi nuk është i montuar kundër tyre. Se ia vlen të investojnë kohën, paratë dhe të ardhmen e familjes së tyre në Shqipëri. Se ata do të kenë çdo shans për të pasur sukses pa frikë se dikush do të jetë gjithmonë me dorën e shtrirë për ryshfet, ose se njerëz të fuqishëm do të lëshohen për t’ju rrëmbyer suksesin. Ose se një ekstremist do t’i kërcënojë ata apo familjet e tyre. Mënyra më e mirë, e vetmja mënyrë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe ekstremizmin e dhunshëm është të kemi institucione të pavarura që mbështesin sundimin e ligjit. Policia, prokurorët gjyqtarët dhe politikanët, duhet të rezistojnë dhe të luftojnë kundër efekteve gërryese të kanosjes, parave, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, tha Kim.

“Shqipëria ka arritur suksese të vërteta në vitin 2021. Që nga largimi i gjyqtarëve të korruptuar, deri tek dënimi i prokurorëve në nivele të larta, përfshirë një ish-Prokuror të Përgjithshëm. Deri tek arrestimet e politikanëve, policëve dhe kriminelëve të krimit të organizuar që kanë zënë titujt kryesor të lajmeve gjatë muajve të fundit”, theksoi Kim.

“Ky është vetëm fillimi. Ne po fillojmë të shohim një epokë të re ku sistemi mund t’u shërbejë qytetarëve të tij dhe jo vetëm të fuqishmëve, të pasurve dhe kriminelëve. Ekziston ndjesia se pandëshkueshmëria, mundet dhe po merr fund”, u shpreh Kim.

“Pavarësisht këtyre sukseseve të arritura me vështirësi, shtetasit shqiptarë, vazhdojnë luajnë një rol të madh në rrjetet e trafikut të drogës dhe të krimit të organizuar. Shqipëria është një rrugë kyçe e trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore për në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Të gjitha këto hollësi janë të parashtruara në raportin që DASH dhe gjithashtu agjenci të tjera të DASH hartojnë në baza vjetore”, tha Kim.

Kim shtoi se “sipas UNODC vlerësohen se 60-65 tonë heroinë kontrabandohen në të gjithë rajonin gjatë vitit. Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Kjo tregon që trafikimi mund të ndodhë dhe mund të ndodhë vetëm me ndihmën e aktorëve shtetërorë. Policë të korruptuar, agjentë kufitarë dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë”.

“Trafikimi i qenieve njerëzore është rritur gjithashtu. Numri i emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri, u rrit nga më pak se 2 mijë në 2013, në pothuajse 12 mijë në vitin 2020. Mijëra të tjerë kalojnë përmes Shqipërisë për në BE. Shumica e këtyre emigrantëve mbështeten në rrjetin e organizuar të trafikantëve për t’i kaluar përtej kufirit. Sërish korrupsioni luan një rol në gjithë këtë.  Dhe me rritjen e trafikimit të qenieve njerëzore, vjen rreziku që ekstremistët e dhunshëm dhe kriminelë të tjerë do të përdorin fluksin e emigrantëve në avantazh të tyre”, u shpreh Kim.

“Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat këtu dhe të kontribuojnë në korrupsionin në vend. Krimi i dhunshëm këtu shpesh lidhet me krimin e organizuar dhe gjykatës, prokurorë, policë dhe gazetarë kanë qenë subjekt i kanosjes”, shtoi Kim.

“Ajo për të cilën jemi për të folur këtu sot është sesi Ministria e Brendshme mund të përmirësojë luftën e saj për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë për të gjithë. Kjo do të thotë që të prodhohen prioritete e një plan i shëndoshë. Do të thotë që të rritet transparenca dhe llogaridhënia”, theksoi Kim.

“Unë kam parë se çfarë mund të bëjë Shqipëria dhe udhëheqësit shqiptarë, kur ata e ndajnë mendjen për të bërë diçka. Ka zgjidhje praktike për këto probleme, të tilla si financimi i një force policore të pavarur, të lirë nga korrupsioni. Krijimi i një organi të duhur mbikëqyrës policor. Forcimi i aftësisë tuaj për të luftuar narkotrafikun dhe krimin e organizuar. Ndjekjen e fondeve të paligjshme që rrjedhin përmes sistemit të Shqipërisë dhe pastruesve të parave që bëjnë të mundur këtë.  Sekuestrimi i pasurive të kriminelëve që tashmë SPAK po e  bën. Duke bërë investime në sigurinë dhe infrastrukturën kufitare, për të mbyllur të gjithë boshllëqet ndaj trafikut të paligjshëm të mallrave dhe të njerëzve. Sikurse e keni parë zyrtarë amerikanë, përfshirë dhe unë vetë kemi qenë në kufi me Greqinë për të instaluar më shumë masa dhe pajisje për të mbyllur këto boshllëqe për shembull. Si dhe forcimi i bashkëpunimit siç po e bëjmë sot mes Shqipërisë dhe donatorëve ndërkombëtarë”, tha Kim.

“Le ta përmirësojmë sistemin dhe le të punojmë së bashku për të hedhur themelet në mënyrë që besimi i publikut të rritet. Madje ka një vrull në anën tonë dhe ne duhet të përfitojmë nga kjo duke forcuar bashkëpunimin tonë si donatorë dhe si miq e partnerë”, përfundoi Kim. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.