Evropiani U-21, Shqipëria mundet në Prishtinë nga Kosova

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare U-21 është mundur mbrëmjen e djeshme nga Kosova me rezultatin 2-1 në ndeshjen e vlefshme për Evropianin e kësaj grupmoshe.

Trajneri Alban Bushi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Tafas, Doda, Selmani, Pëllumbi, Mitaj, Ndrecka, Çelhaka, Asllani, Ismajlgeci, Karrica, Dobra.

Kuqezinjtë e nisin mirë sfidën dhe në minutën e 19-të kanë një mundësi për të kaluar në avantazh me Dorën, i cili pasi shërbehet bukur nga Ismajlgeci, del i vetëm me portierin dhe godet, por gjuajtja e tij bllokohet nga Bisinger.

Në minutën e 26-të Ndrecka pretendon për 11-metërsh, pasi pengohet në zonë, por gjyqtari vazhdon lojën. Më pas, është Asllani që shfaqet rrezikshëm vazhdimisht para portë së Kosovës, ndërkohë që në minutën e 41-të Dobra nuk arrin të mposhtë portierin e Kosovës.

Pjesa e dytë nis me të njëjtën panoramë me kuqezinjtë që këmbëngulin dhe në minutën e 58-të gjejnë golin e avantazhin. Asllani jep një asist perfekt për Karricën në zonë me sulmuesin që tregohet i saktë në goditjen e tij dhe shkund rrjetën. Kosova provon të reagojë menjëherë dhe pas disa tentativash gjen golin e barazimit në minutën e 65-të. Krasniqi depërton në zonë dhe arrin të thyejë portierin Tafas me një goditje të saktë, duke baraspeshuar rezultatin.

Bushi provon të ndryshojë diçka në lojë, duke hedhur në fushë fillimisht Markun, Peposhin e Nikqin dhe më vonë Qardakun e Rrapajn. Gjithsesi, kur u duk se sfida do të përfundonte në barazim në minutën e 91-të Kosova gjen golin e fitores me anë të Sejdiut. Shqipëria U-21 mundet në Prishtinë dhe mbetet në vendin e tretë në grup në kuotën e 9 pikëve pas 6 ndeshjesh.

KOSOVË U21 – SHQIPËRI U21      2-1

Golat: Krasniqi  65’,  Sejdiu 91’/  Karrica 58’

Kosova U-21: Bisinger, Hoti, Kurtulus, Sadriu, Hoxha, Veliu, Lushaku, Shabani, Krasniqi, Zeqiri, Merlaku.

Trajner: Michael Nees

Shqipëria U-21: Tafas, Doda, Selmani, Pëllumbi, Mitaj, Ndrecka, Çelhaka, Asllani, Ismajlgeci, Karrica, Dobra.

Trajner: Alban Bushi

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.