TIRANË, 13 nëntor/ATSH/- Fshati Dardhë në lartësinë e 1344 metrave dhe 20 kilometra në juglindje të Korçës është tashmë një nga fshatrat turistikë më surprizues në Shqipëri me një potencial zhvillimi turistik gjithnjë e në rritje.
I përfshirë në programin “100 fshatrat”, Dardha po njeh investimet të reja sikurse sistemimi i pistës së skive dhe ndërtimi i kompleksit turistik dimëror.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga Dardha e cila tanimë është një destinacion turistik plot gjallëri.
Dardha është e ndërtuar me shtëpi karakteristike përdhese të mbuluar me plloça të hirta. Krahas tyre atje gjenden dhe ndërtesa të reja dhe hotele bashkëkohore. Karakteristikë tjetër janë rrugët e shtruara me kalldrëm. Në Dardhë është ngritur dhe funksionon muzeu, që ekspozon historikun dhe trashëgiminë e fshatit.
Ky fshat turistik fron një klimë ideale, ajër të pastër të pasur me oksigjen gjë që e bën të preferuar gjatë gjithë vitit.
Edhe në këtë fundvjeshte rruga tashmë e rikonstruktuar që përshkon një terren të jashtëzakonshëm malor, të krijon mundësi të bësh një udhëtim të këndshëm, në një peizazh piktoresk.
Me investimet e reja turistike që po ndërmerren siç është krijimi i resortit të parë të skive në Shqipëri, në zonën e Nikolicës, synohet që Dardha të shndërrohet në një destinacion me potencial të veçantë të turizmit korçar.























