Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama publikon pamje nga Dardha: Destinacion turistik plot gjallëri

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/- Fshati Dardhë në lartësinë e 1344 metrave dhe 20 kilometra në juglindje të Korçës është tashmë një nga fshatrat turistikë më surprizues në Shqipëri me një potencial zhvillimi turistik gjithnjë e në rritje.

I përfshirë në programin “100 fshatrat”, Dardha po njeh investimet të reja sikurse sistemimi i pistës së skive dhe ndërtimi i kompleksit turistik dimëror.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga Dardha e cila tanimë është një destinacion turistik plot gjallëri.

Dardha është e ndërtuar me shtëpi karakteristike përdhese të mbuluar me plloça të hirta. Krahas tyre atje gjenden dhe ndërtesa të reja dhe hotele bashkëkohore. Karakteristikë tjetër janë rrugët e shtruara me kalldrëm. Në Dardhë është ngritur dhe funksionon muzeu, që ekspozon historikun dhe trashëgiminë e fshatit.

Ky fshat turistik fron një klimë ideale, ajër të pastër të pasur me oksigjen gjë që e bën të preferuar gjatë gjithë vitit.

Edhe në këtë fundvjeshte rruga tashmë e rikonstruktuar që përshkon një terren të jashtëzakonshëm malor, të krijon mundësi të bësh një udhëtim të këndshëm, në një peizazh piktoresk.

Me investimet e reja turistike që po ndërmerren siç është krijimi i resortit të parë të skive në Shqipëri, në zonën e Nikolicës, synohet që Dardha të shndërrohet në një destinacion me potencial të veçantë të turizmit korçar.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version