TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini, tha sot se “kurba epidemike ka luhatje, por aktualisht është situatë e kontrolluar kundrejt këtij trendi të pozitivitetit dhe rasteve të konfirmuara me COVID-19 në nivel kombëtar”.
Në një intervistë televizive, Tomini theksoi se “aktualisht në nivel evropian kemi 7 % të rasteve të shtuara gjatë javë që lamë pas. E njëjta situatë, por e kontrolluar përkundrejt 3 indikatorëve matës që janë pozitiviteti i rasteve në 24 orë, numri i rasteve të shtruara, incidenca njëjavore apo dyjavore e monitoruar që në krye të herës të pandemisë, ka vijuar me një trend të qëndrueshëm dhe situata epidemiologjike në vend prej 15 javësh është e kontrolluar”.
“Ka një zbritje të fashës së prekur, janë moshat e reja 35-40 vjeç, të cilat janë të prekura dhe reflektohet edhe me raste spitalore. Dua të sensibilizoj të rinjtë që të vaksinohen për të pasur mbulesë vaksinale me të dyja dozat”, tha Tomini, ndërsa shtoi se mosha pediatrike ka më pak raste, 3 % të rasteve totale të infeksionit në vend.
Lidhur me ecurinë e vaksinimeve kundër COVID-19, zv./ministrja Tomini u shpreh se “jemi në përqindjet e para të vaksinimit të moshës pediatrike dhe asaj adoleshente. Për moshën pediatrike dhe adoleshent, kemi përqindjet e para pasi paralelisht po bëhet sensibilizim në strukturat mësimore dhe në qendrat shëndetësore ndaj prindërve. Përqindjet e para ne i vlerësojmë në kuadër të 12-14 ditëve dhe do ketë përditësim të shifrave”.
“Fëmijë të shtuar në spital me COVID janë 11. Vala e katërt e COVID po qarkullon edhe në Shqipëri. Stina e vjeshtës dhe dimrit sjell prishje të distancimit fizik ndaj theksohet që respektimi i masave duhet të vijojë për shkak se jemi më shumë në ambiente të mbyllura”, tha Tomini.
Sa i përket pasaportës së vaksinimit si kusht për t’u futur në bare e restorante, Tomini tha se, “pasaporta e vaksinimit në bare dhe restorante mbetet opsion i diskutueshëm”.
/k.s/j.p/r.e/























