Të ardhurat në buxhet në 2022-shin, rritje me 7.8 %

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se të ardhurat në buxhet për vitin 2022 parashikohet të rriten me 7.8 %.

Gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2022 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave Ibrahimaj u shpreh se projektbuxheti i vitit 2022 dhe ai afatmesëm bazohen në një kuadër makroekonomik të kujdesshëm dhe realist.

“Pas recesionit të fortë në vitin 2020 ekonomia pritet të rikuperohet ndjeshëm në vitin 2021 dhe në vijim. Vlerësimet më të fundit për rritjen ekonomike gjatë vitit 2021 kapin vlerën 7.6 %, duke vijuar këtë trend pozitiv dhe në periudhën afatmesme 2022-2024 me një mesatare prej 4 % në vit. Rritja ekonomike për vitin 2022 parashikohet në nivelin 4.1 % e shoqëruar me një ulje të normës së papunësisë nga 11.4% në 2021 në 10.3% të parashikuar për vitin 2022. Rritja ekonomike dhe punësimi do të mbështetet në një objektiv tjetër të planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 6.4% e PBB”, tha ministrja

Sipas saj, të ardhurat buxhetore në raport me PBB pësojnë një rritje në terma realë në periudhën 2022-2024 me 28.7% të PBB në vitin 2022 dhe me 29.1% të PBB në vitin 2024.

“Kjo rritje vjen dhe si pasojë e jetësimit të Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave (MTRS), e cila synon të përmirësojë politikat tatimore për forcimin e mbledhjes së tatimeve, përputhshmërisë dhe sistemeve të monitorimit. Implementimi me sukses i parashikimeve të strategjisë afatmesme të të ardhurave, parashikohet të ketë impakt pozitiv në rritjen e të ardhurat tatimore”, tha ministrja.

Ministrja u shpreh se në vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 536.8 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 500.2 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 360.5 miliardë lekë. Ndërkohë, sipas saj, të ardhurat nga kontributet planifikohen në vlerën 111 miliardë lekë.

“Krahasuar me të pritshmin e vitit 2021, të ardhurat gjithsej të buxheti të shtetit rriten 7.8 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat planifikohen të rriten 9.9% ose +32.5 miliardë lekë”, deklaroi ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.