TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Në vendin tonë kanë mbërritur mbrëmjen e sotme edhe 74 880 doza të vaksinës “Pfizer”.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“Kanë mbërritur në Shqipëri edhe 74,880 doza të vaksinës ‘Pfizer’, pjesë e kontratës së dytë të qeverisë shqiptare me kompaninë. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,571,840 vaksina anti-COVID”, theksoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “jemi të vendosur të çojmë përpara planin kombëtar të vaksinimit, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të çdo qytetari”.
Nga data 1 nëntor ka nisur aplikimi i dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 për mjekët dhe personat +60 vjeç. Po ashtu prej 1 nëntorit sipas udhëzimit të ISHP, ka nisur vaksinimi edhe për fashën 12-15 vjeç me sëmundje kronike dhe frenim të imunitetit, si dhe për grupmoshën 16-18 vjeç.
/k.s/j.p/r.e/























