TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ E cilësuar si parajsa e fshehur e Veriut, Puka është kthyer tashmë në një destinacion turistik, falë edhe investimeve nga qeveria shqiptare duke ofruar për vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga transformimi që ka pësuar ky qytet.
Një qytet i vogël me “bujari e mikpritje të madhe”, kështu e cilësojnë turistët që vizitojnë për herë të parë Pukën. Puka është një qytet alpin në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana.
Ajo mbetet e preferuara e adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra. Puka njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh.
Vendi parë për t’u eksploruar është liqeni i qytetit, i sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.






















